Gjiganti gjerman i automjeteve ‘Daimler’ do të shkurtojë 15.000 vende pune ose 5.000 më shumë nga sa ishte planifikuar fillimisht, sipas mediave gjermane.
Kryetari i ‘Daimler’, Ola Kaellenius pritet të zbulojë planet të martën, kur kompania të paraqesë rezultatet e saj për vitin 2019”, njoftoi e përditshmja ”Handelsblatt” duke cituar burime brenda kompanisë.
Në raport thuhet se ‘Daimler’ planifikon të zvogëlojë fuqinë punëtore duke ofruar kompensim për shkurtimin e vendeve të punës, si dhe pension të parakohshëm dhe të pjesshëm, në përpjekje për të kursyer mbi 1,4 miliard euro.
Prodhuesi i makinave luksoze me qendër në Shtutgart, që zotëron kompaninë ‘Mercedes-Benz’, kishte njoftuar më parë planet për shkurtimin e 10.000 vendeve pune, si pjesë e një programi për uljen e kostove, në një kohë të vështirë për sektorin kryesor automobilistik të Gjermanisë.