​Gastronomët: Masat e reja krijuan eksport të parasë dhe import të virusit

​Gastronomët: Masat e reja krijuan eksport të parasë dhe import të virusit

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës vlerëson se masat e reja kundër përhapjes së COVID-19 të miratuara së fundi nga Qeveria e Kosovës, kanë ndikuar që të ketë eksport të parasë dhe import të virusit. Kjo pasi për shkak të mbylljes së pjesshme të vendit, mbi 29 mijë qytetarë të Kosovës gjatë fundjavës kanë vizituar Shqipërinë.

Arian Vranica nga kjo shoqatë, thotë se vendimi i Qeverisë për të mbyllur gastronominë në Kosovë duke lënë të hapur kufijtë, është një vendim që i dëmton më së shumti gastronomet.

“Duke e ditur që nuk ka pasur asnjë lloj dokumenti që është kërkuar apo një lloj (testi) PCR apo një lloj vetizolimi dhe një lloj kontrolle sa i përket luftimit të pandemisë, natyrisht që për neve ka qenë shqetësuese, sepse një sektor i cili po mbyllet tek ne po lejohet në vendin tjetër, andaj kjo po stimulon qytetarët e vendit të Republikës së Kosovës që më shumë të frekuentojnë vendet tjera sesa vendin tonë. Për neve ka qenë shqetësuese sepse duke i ditur edhe kapacitetet buxhetore të Republikës së Kosovës nuk janë të mjaftueshme për të mbështetur bizneset në raport me humbjet të cilat i kanë shkaktuar. Natyrisht ne duhet t’i evitojmë sa më shumë këto humbje, mirëpo me këtë vendim ne e kemi krijuar një eksport të parasë dhe një import të virusit”, deklaron ai.

Sipas tij, vendimi i Qeverisë që gastronomia të punojë vetëm me shërbim “merr me vete” dhe “dërgesë me porosi”, vetëm sa e thellon edhe më tepër gjendjen e rëndë të këtij sektori.

Vranica shton se shumica e lokaleve të gastronomisë nuk i ofrojnë këto shërbime, e që thotë se humbja për to është edhe më e madhe.

“Këto masa e thellojnë edhe më tepër gjendjen e rëndë të sektorit të gastronomisë, sepse gastronomia ne e dimë që nga mbyllja totale që ka ndodhur përkatësisht në tre mujorin e dytë të vitit të kaluar ka pasur një përshkallëzim të jashtëzakonshëm sa i përket dëmeve të shkaktuara nga pandemia dhe masat shtrënguese të qeverisë. Kemi pasur 64 për qind rënie të qarkullimit dhe e cila ka treguar që ka pri në raport me çdo industri tjetër sa i përket dëmeve”, thotë ai për KP.

Një vit më parë për shkak të mbylljes në sektorin e gastronomisë, Vranica thotë se mbi 11 mijë punëtorë kanë humbur vendet e punës, e që një gjë e tillë shton se do të ndodh edhe për shkak të masave të fundit.

Më 7 prill kanë hyrë në fuqi masat e reja kufizuese, ku gastronomisë dhe qendrave tregtare i është ndaluar puna deri më 18 prill./Insajderi.com