​Loredana pranon se mori para nga çifti i Zvicrës – avokati i saj e ‘hulumton’ gruan që  u ankua

​Loredana pranon se mori para nga çifti i Zvicrës – avokati i saj e ‘hulumton’ gruan që  u ankua

Ndonëse dy ditë më parë u raportua se është arrestuar reperja Loredana Zefi, në Zvicër, kjo e fundit ka ardhur në Kosovë, ku ka pranuar se disa persona kanë marrë para nga çifti zviceran por se ajo nuk ka qenë e involvua, ndërsa thekson se askujt nuk iu kanë marrë para me dhunë.

Derisa mediat zvicerane bënë të ditur se Prokuroria atje ka nisur një hetim për mashtrim ndaj Zefit, kjo e fundit ka deklaruar se paratë iu kanë marrë me vullnet të palës tjetër.

Këto deklarata reperja i ka bërë në një konferencë për media, ku ishin të pranishëm edhe dy avokatët e saj, Tomë Gashi dhe Artan Sadiku, si dhe bashkëshorti i saj, këngëtari Mozik.

Vet Zefi ka thënë se krejt kjo ka filluar në vitin 2016, teksa ka mohuar të ketë qenë e involvuar.

E indinjuar me atë që ka lexuar në mediat shqiptare, ajo ka sqaruar se disa gjëra janë më ndryshe prej asaj çka mediat kanë shkruar. Ndërsa ka bërë të ditur se ndodhet në Kosovë për të xhiruar një klip, të cilin e kishte planifikuar shumë më parë, e jo për të ikur nga kjo situatë.

“Unë jam këtu se jam tu e xhiru një spot. Ky spot është planifiku shumë më herët, për shkak që nuk kemi shqetësime ose arsye pse me e shty këtë spot… Për mua, çka është me rëndësi me e ditë ju, shteti shqiptar, shteti gjerman, shteti i Zvicrës, prej asnjë personi nuk janë marrë paret me dhunë, nuk janë marrë paret me kërcënime, nuk janë marrë me mashtrime. Këto pare që kanë hyrë, shumën nuk e di, janë marrë me vullnet të palës tjetër. Okej? Kjo është e para. E dyta, kjo ka fillu në 2016-ën, ku unë nuk kam qenë e involvuar dhe nuk kam ditë kurrgjë për këtë rast. Në 2018-ën, do anëtar të familjes Zefi, janë në këtë punë ‘brenda’, më kanë tregu që në 2018-ën është mundësia me e mbyllë këtë rast. Tash unë nuk e di se çfarë kanë bërë këta persona, pse me e mbyll këtë rast. Në 2018-ën kur unë kam marrë vesh për këtë rast, unë kam qenë në gjendje me i ndihmu”, tha ajo.

Ndërsa bashkëshorti i saj, Gramoz Aliu, i njohur si Mozik, ka sugjeruar mediat se për çka mund të shkruajnë.

Ai tha se pas xhirimeve që do të bëhen në Kosovë, do të kthehen në Zvicër për të vazhduar jetën atje së bashku me vajzën e tyre.

“Unë jam bashkëshorti i saj, i ka avokatët e vet për çfarëdo që të ndodhë, çdo gjë ka me e sqaru. Por iu kisha lut mediave, më mirë është me e qit sot një lajm që Loredana është duke e bërë një këngë dhe një videoklip që është shumë i mirë, sesa me u marrë me këtë çështje më, sepse mu ka duk e tepërt se shpërthyet aq shumë, pa e ditur se çka ka ndodhur, apo se ku qëndron e vërteta”, tha ai.

E avokati Artan Sadiku nga Zvicra tha se reperja Loredana Zefi nuk ka qenë në paraburgim asnjëherë.

Ai ka mohuar se kanë pasur akuza për 700 mijë franga.

“Pika e parë që për mua është shumë me rëndësi: Loredana nuk ka qenë kurrë në paraburgim. Është marrë në pyetje, Loredana u kthe tani në shtëpi tek burri i vet. Pika e dytë për mu që është shumë me rëndësi për çka i kemi ofru 550 mijë franga, unë për klientin, i kemi ofru sepse supozohet një shumë e tillë, që nuk është e njohur sa. Situata nuk është e qartë dhe unë si avokat e pata idenë që të qetësojmë pak situatën dhe ta tregojmë gatishmërinë tonë”, tha avokati nga Zvicra.

Kurse, avokati Tomë Gashi bëri të ditur se rasti është civil dhe nuk është penal, gjë që nuk e vë në dyshim pastërtinë e figurës së klientes së tij, Loredana Zefi, si këngëtare.

“Është mirë ta dimë se personi që pretendon se është i dëmtuar, është një zonjë nga Zvicra, nga Luzerni, ajo edhe më herët ka raportuar çështje të tilla, të cilat nuk i janë pranuar, me pretendime se mund të ketë të bëjë me rast civil. Unë besoj se vetëm niveli i artistes, Donës, e ka bërë këtë rast kaq të madh sepse gjëra të tilla të marrjes të parave në formë të borxheve të caktuara ndodhin gjithkund në botë”, tha Gashi.

Në fund, Gashi u shpreh se Zefi nuk ka ndonjë arsye për të paditur askënd, pasi sipas tij, çdo reklamë, qoftë edhe kjo e rastit të fundit, ka peshën e saj.

Ndërkaq, konferenca e cila zgjati për gati një orë, ku u parashtruan një mori pyetjesh për reberen Loredana Zefi, bënë që kjo e fundit “të lodhet” nga gazetarët.

Ajo reagoi duke u ngritur në këmbë, në momentin kur gazetarët e pyetën nëse kjo çfarë ka ndodhur do të ndikojë në përkeqësimin e imazhit të saj.