Një nga momentet më ikonike të industrisë shqiptare të muzikës, ishte puthja e Soni Malajt dhe Flori Mumajesit, në skenën e “Këngës Magjike” në nëntor të vitit 2007, njofton Insajderi.
Pak kohë pas performancës çifti u ndanë mirëpo kënga “Fluturimi 3470”, mbeti një nga këngët më të bukura të prezantuara në festivalin e këngës shqipe.
Pas më shumë se një dekadë, ishte “Kënga Magjike” që i bëri sërish bashkë dy artistët. Soni Malaj do të marrë pjesë në edicionin e këtij viti të konkursit me këngën “Versioni im”.
Kënga është punuar nga studioja e Florit, dhe të gjithë ishin të sigurt se kjo këngë i përshtatej vetëm asaj, ndaj edhe ia propozuan.
“Është një nga këngët më të veçanta që unë kam. Kënga mu propozua nga Threedots. Djemtë pasi përfunduan këngën thanë: “Këtë këngë vetëm Soni Malaj mund ta këndojë”, tregoi Soni për produksionin e spektaklit.
Në edicionin e fundit të konkursit – që u mbajt në vitin 2019 – këngëtarja mori pjesë me këngën “Shije tradhtie”. /Insajderi.com