Performanca artistike “but first check the water” vjen si thirrje për ruajtjen e historisë, trashigimisë kulturore dhe kujtesës kolektive

Performanca artistike “but first check the water” vjen si thirrje për ruajtjen e historisë, trashigimisë kulturore dhe kujtesës kolektive

Me datën 30 shtator do të zë vend edicioni i tretë të Metamorphosis. Intervenimi, but first, check the water, është specifik për lokacionin, konceptuar nga artistja Nurhan Qehaja, ora 16:30 / Rr. Xhemajl Prishtina (objekti gjendet tek RTK-ja te pazari).

Metamorphosis, projekt i cili zbatohet nga Fondacioni Shtatëmbëdhjetë, e përdor artin dhe kulturën si mjet kryesor për të ngritur zërin për rëndësinë e shfrytëzimit të hapësirës publike. Një gjë e tillë mendohet të arrihet duke rikthyer në jetë objektet e braktisura, t’i rivitalizojë ato qoftë edhe për një ditë. Në këtë formë mëtohet që të dokumentohet kujtesa kolektive e një të kaluare për të cilën pak flitet, si dhe që hapësirat publike të shfrytëzohen për të mirën e komunitetit. Metamorphosis, veçanërisht fokusohet në objekte/ monumente/ hapësira publike të cilat janë edhe produkt i proceseve të ndryshme shoqërore. Për këtë arsye nuk është e mjaftueshme për t’u hulumtuar dhe dokumentuar vetëm përbërja e materialeve, por edhe funksioni i tyre, i cili ndryshon nga vet shoqëria. Në këtë mënyrë, Metamorphosis, duke operacionalizuar historinë dhe simbolet e hapësirave të kujtesës kolektive si mënyrë për të theksuar të drejtën e njerëzve për qytetin, vë theksin në fuqinë e kujtesës kolektive për të formuar hapësira urbane.

Kjo ndërhyrje specifike për lokacionin vjen si thirrje për reflektim për ruajtjen e historisë, trashëgimisë kulturore dhe kujtesës kolektive.

Deklarata e artistes:

* Hyrja në objekt është refuzuar nga komisioni i Institutit Kosovar për Mbrojtje të Monumenteve. Kjo performancë është ndryshuar për t’u përputhur me kufizime e vendosura nga institucioni i cili përndryshe ka për detyrë mbrojtjen dhe ruajtjen e këtij monumenti.

Para se të themi më shumë, duhet të pranojmë dhe respektojmë faktin se ky objekt dikur ishte shtëpia e dikujt dhe hapësira e sigurt e dikujt.

Në bollëk, nuk është për t’u habitur se ne braktisim dhe e mbyllim njërin sy karshi këtij objekti historik. Përkundër dëshirës së thellë për të rikrijuar një kujtesë vizuale të brendësisë, për të riimagjinuar storiet e tij, ne kemi mbetur me ndjenjën e pafuqisë. Ne dëshpërohemi duke ndjerë thyerjen e zemrave të atyre që dikur ishin larguar nga kjo hapësirë. Prania jonë është një ndërhyrje në një histori që nuk është e jona për ta treguar.

Uji që rrjedhë harrohet qëllimisht dhe kolektivisht. Teksa rrjedh – merr gjithçka me vete.

Kjo vepër është një ftesë për të dëgjuar dhe për tu ballafaquar me muzikën./Insajderi.com