Blero: “Nuk mund të qajmë për këngëtarët”

Blero: “Nuk mund të qajmë për këngëtarët”

Një nga problematikat që është paraqitur që nga shpërthimi i pandemisë, është edhe zhvillimi i aktivitetit të këngëtarëve tanë, duke ndërprerë kështu edhe të ardhurat financiare.

Të shumtë ishin të zëshëm, kundër masave që ishin marrë për ndërprerjen e ahengjeve, duke kërkuar një tjetër zgjidhje alternative.

Mirëpo të paktën Blero nuk mendon kështu. Ai argumenton se më i rëndësishëm është shëndeti publik. I ftuar në një lidhje telefonike me “NRG Radio” së fundmi, ai u pyet nga Julka Gramo pikërisht lidhur me këtë temë.

“Shëndeti në radhë të parë. Organet kompetente që japin udhëzimet kanë plotësisht të drejtë. Është fatkeqësi që s’po mundemi të punojmë, por mendoj mbi të gjitha shëndeti. Këto protestat që po bëhen këtu në Prishtinë për mua janë të kota, pasi ata që merren me pandeminë dhe virusin e dinë se çfarë flasin. Muzika është luks, kështu që mbi shëndetin s’ka”, ka thënë Blero.

Ai shton se kjo është një situatë globale mirëpo e përkohshme dhe se kriza financiare ka përfshirë të gjithë.

“Ne nuk mund të qajmë për këngëtarët që këndojë live në Prishtinë ose Tiranë. Keq më vjen por ky realitet ka përfshirë të gjithë botën”.

Së fundmi, Elton Deda, me anë të një postimi publik në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë thirrje për zgjidhje sa i përket industrisë së muzikës live. Sipas tij, një numër i madh artistësh – si Kosovë dhe në Shqipëri – po shkojnë drejt falimentimit financiar, dhe qeveria do të duhej të mendonte një strategji kompensimi deri tani. /Insajderi.com