Çfarë është surealizmi?

Çfarë është surealizmi?

Surrealizmi (fr, surréalisme – mbirealizëm; mbirealitet) është lëvizje letrare dhe artistike që u paraqit në Francë pas Luftës së Parë Botërore. Termin e vuri në përdorim në vitin 1918 poeti francez Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire). Surrealizmi e vazhdon dadaizmin dhe frymën rebeluese të tij, revoltën kundër traditës dhe shprehive e zakoneve të ngulitura, urrejtjen ndaj normave shoqërore. Por, për dallim nga fryma mohuese kategorike e dadaizmit, e ka edhe anën e tij pozitive dhe konstruktive. Ka edhe program të caktuar. Mendimet themelore dhe më të rëndësishme të surrealizmit i përmban “Manifesti i surrealizmit” që e botoi më 1924 poeti, tregimtari dhe teoricieni francez Andre Breton.

Surrealistët synojnë të mposhtin logjiken dhe racionalen si dhe imagjinatën tradicionale. E përjashtojnë kontrollin e intelektit dhe nxjerrin në plan të parë vizionet, asociacionet e instinkteve, halucinacionet dhe elementet e ëndrrave. Krijimtari artistike lihet të udhëhiqet prej nënvetëdijes, e vetmja që mund të depërtojë në thellësinë e realitetit.

Bazat teorike të pikëpamjeve të veta surrealistët i arsyetuan më së shumti me psikanalizën e Zigmund Frojdit (Freud). Prerazi i kundërvihen çdo realizmi dhe racionalizmi. Janë lejojnë që veçantitë e aktit krijues të kontrollohen nga arsyeja. Sipas tyre intelekti i deformon përmbajtjet e thella të shpirtit. Krijimtaria buron prej thellësive të nënvetëdijes, prej vizioneve dhe ëndrrave alogjike për botën dhe jetën. Zbulimet më të mëdha mund të bëhen me gjurmimin e nënvetëdijshëm instinktiv dhe të kontrolluar, ngase vetëm kështu mund të arrijmë në thellësitë misterioze të shpirtit. Surrealistët duan diktatin e mendimeve në mungesë të çdo kontrolli të arsyes. Theksojnë veprimin e automatizmit shpirtëror. Përdorin atë që e quajnë të shkruarit automatik. I flakin të gjitha preokupimet estetike dhe morale. Atyre më shumë u interesojnë psihogramet lirike, e për këtë arsye me të madhe janë orientuar kah psikanaliza dhe nga jeta e nënvetëdijshme e njeriut.

Me disa pikëpamje të tyre dhe me tendencën për t’u bërë shprehje artistike e botës surreale, e botës të fshehur thellë nën faktet e jetës së dukshme dhe të matshme, surrealizmi është i afërt dhe i ngjashëm me ekspresionizmin, me simbolizmin, e sidomos me dadaizmin./Insajderi.com