Ju kujtohet Lum Veseli në rolin e Petritit në filmin “Shok”?
Ishte vetëm 12-vjeçar kur udhëtoi drejt Hollywood-it në eventin prestigjioz të “The Oscars” në vitin 2015, kur filmi u nominua për “Filmin më të mirë të metrazhit të shkurtër”, në edicionin e 88 të Akademisë së Çmimeve.
Ai tani është një student i vitit të parë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, dhe nëna e tij, aktorja Shengyl Ismaili ka një urim të përzemërt por edhe shumë të sinqertë, për rrugën që ai ka zgjedhur të rrahë, njofton Insajderi.
“Shumë i vogël i ke hy këtij zanati, kllapen e parë e përjetove me 12 vjet, e pikërisht kjo “kllapë” të dërgoj në tepihun e kuq, në festivalin më prestigjioz në botë “THE OSCARS”. Pikërisht aty e kuptove se kush don me qenë ti në të ardhmën…AKTOR”, shkruan aktorja në një postim në llogarinë e saj në Instagram.
Si një nënë, por edhe si një grua aktore në Kosovë, ajo nuk kursen të birin e saj nga e vërteta e profesionit të tij të ardhshëm.
“Mirë se vjen në rrugën me plotë pengesa, gropa e gjemba. Mirë se vjen në botën e mrekullueshme të ARTIT, e cila në vendin tonë nuk vlerësohet shumë. Mirë se vjen në botën reale të Artit, për të cilen Nana të ka folë shumë, e ty të është duk si një përrallë!”
“Ke me u rrëzu, dëshpëru, zhgënjy… e ke me dashtë me heq dorë, POR prapë ke me gjetë forcë e ke me u ngrit e me vazhdu edhe më fuçishëm drejtë arritjës së qëllimit tënd. Se ky je ti Lumi, me karakter të fortë, i vendosun, i dashtun, i afërt, human…”
Ajo i premton djalit të saj se do i qëndrojë gjithnjë afër, dhe i lutet që herën tjetër kur të shkojë në tapetin e kuq, ta lë t’i mbajë valixhet. /Insajderi.com