S’lihet pa u pa

Seriali “Euphoria”, bota e errët dhe e vërteta brutale e adoleshencës

Një galeri e tërë karakteresh të skalitura mjeshtërisht, na hapin dyert e një bote ku ngjyrat e dritat psikodelike sikur tentojnë të na mpijnë për të qenë të aftë të përballojmë dhunën, ndjenjën e zbrazëtisë dhe nihilizmin që përcjell gjeneratën post internet.

Seriali “Euphoria”, bota e errët dhe e vërteta brutale e adoleshencës

Në fillimin e viteve 90’ filmi “Kids” me regji të Larry Clark dhe skenar të Harmony Korine shokoi botën me skenat eksplicite të seksit, infektimin me AIDS dhe përdorimin e drogave nga adoleshentët.

Ky film u kritikua shumë, mirëpo pikërisht këto gjëra e bënë një prej filmave kult që portretizoi të vërtetën brutale të shpirtit adoleshent të kohës.

Ndërkohë filmat e telenovelat që trajtojnë ankthin adoleshent, sikur u bënë një trend në rritje, duke garuar artistikisht se cili do të arrijë të shokojë më shumë. Disa prej tyre u mungon konstrukti real dhe duken të bazuar në këtë tendencë e disa prej tyre të ngjethin mishin, për shkak të vërtetësisë dhe të horrorit që nuk kemi dëshirë ta lidhim me këtë grup moshë të ndjeshme.

Elephant”, “Thirteen”, serialin “Skins” e deri te “Sex Education” që është një version pak më i butë i kësaj tematike, janë vetëm disa prej trajtimeve të kësaj problematike për të cilën kemi pasur nevojë të flasim dhe të shohim më shumë, deri tek seriali i ri “Euphoria” i cili e trajton këtë temë në një mënyrë tejet origjinale dhe me një vërtetësi brutale.

E filmuar me një stil që u ngjan herë videoklipeve, ëndrrave apo ndonjë përjetimi psikodelik, “Euphoria” hap një botë të errët, ku personazhi kryesor Rue Bennett (Zendaya) është një 17 vjeçare me histori të gjatë abuzimi të drogave të ndryshme që nis shoqërinë dhe zhvillon një pasion për një vajzë transgjender që quhet Jules, e cila ndjen tërheqje për burra shumë më të vjetër dhe homofobikë.

Të dyja vajzat, të cilat në parim nuk janë karakteret më të popullarizuara të shkollës, gjejnë te njëra tjetra partnerin ideal për të përballuar trysninë e shkollës së mesme, të zbrazëtisë së epokës ku jetojnë dhe të traumave të së kaluarës.

Seriali nis me Rue e cila sapo kthehet nga programi rehabilitues ku ka kaluar verën, pasi motra e saj e vogël e gjen të shtrirë në tokë pa ndjenja, të mbuluar me të vjellat e saj, për shkak të një mbidoze droge.

Ajo kthehet nga rehabilitimi mirëpo marrëdhënia e saj me drogat nuk ka ndryshuar. Nepsi i saj për të bllokuar ndjenjat, për të mbushur zbrazëtinë në jetën e saj përmes substancave dhe për të rrezikuar me gjithçka për të arritur deri te ato vetëm sa është shtuar.

Vetëm kur lidhja e saj me Jules fillon të intensifikohet dhe Rue e kupton që nuk do ta humbasë, arrin të shtyjë të tentojë për herë të parë të shërohet dhe të ndalojë abuzimin e substancave. Mirëpo kjo marrëdhënie është shumë e brishtë sa të lejojë njërën ose tjetrën të lëshojë veten në të.

Jules mund të jetë mundësia për shpëtim e Rue, mirëpo tendencat e saj vetë shkatërruese nuk e lejojnë të ketë lidhjen për të cilën ka nevojë. E përçmuar dhe e thyer në brendësi, Jules i lejon vetes të ketë ndjenja vetëm për njerëzit që e poshtërojnë.

Përpos Rue dhe Jules, një galeri e tërë karakteresh të skalitura mjeshtërisht, na hapin dyert e një bote brutale, por të vërtetë, ku ngjyrat e dritat psikodelike sikur tentojnë të na mpijnë për të qenë të aftë të përballojmë dhunën, ndjenjën e zbrazëtisë dhe nihilizmin që përcjell gjeneratën post internet./Insajderi.com