Intervista

Romani “I liri” nga Lum Gashi

Lum Gashi për Gazetën Online Insajderi: Me personazhet kryesore më lidhin pak gjëra. Jam shumë i lumtur që në tërësi këto personazhe janë shkëputje nga personaliteti dhe vija e jetës time. Është e pamundur por së paku është një iluzion më bindës se kam dalë nga zgafellja e Unit për aq kohë sa i kam degëzuar këto personazhe.

Romani “I liri” nga Lum Gashi

Romani “I liri” i autorit debutant Lum Gashi është libri fitues i konkursit “Libri i Karantinës”.

Historia e romanit  të sjell ndërmend Sizifin e Kamys, i cili në vend të gurit që e shtyn pafundësisht, bartë thasë mielli,  si mënyrë për të simbolizuar skllavërinë moderne, e cila privon njeriun nga elementet thelbësore të ekzistencës duke krijuar një stereotip, i cili përkufizohet nga nevoja për të ushqyer dhe për të punuar, pa i lënë mundësi të zhvillohet më tej.

Pamja e parë të cilën e sjell romani është një atmosferë intime familjare e një dite të diel tipike e një familje varfëria e të cilës të përplaset në fytyrë ngjashëm me parafytyrimin e aromës së petullave që piqen në tigan. Petullat në një mënyrë mund të marrin simbolikë të dyfishtë, duke bërë një ushqim festiv i të varfër, i cili sado i shijshëm mund të tingëllojë, bazë e ka ujin e miellin, këtë barrë që e shtyn protagonistin të durojë përçmime e keqtrajtime.

Në anën tjetër mielli si element figurativ, sidomos për një roman që është shkruar në kohën e karantinës, ku përderisa në vende tjerat radhët e mëdha bëheshin për letra tualeti, në vendin tonë, kriza e pandemisë u karakterizua nga mielli, ndoshta si mekanizëm i krijuar gjatë kohërave të luftërave e të varfërisë ekzistenciale.

“Shimi nesër!”, ia ktheu Xhema dhe mbylli telefonin. S’dinte më a ishte sëmundja apo argumentimi grotesk i Aliukut që e shtyri të jetë aq i çinteresuar për ta vazhduar bisedën. E ndiente që ishte i pafuqishëm t’ia rrëzonte atë që nuk dinte nëse ishte iluzion apo strategji e të pasurit të drejtë. Njashtu e dinte veten për të pafuqishëm verbalisht që t’ia përplaste të vërtetën për xanxaret dhe cenet e Aliukut, që ky i fundit tentonte t’i kalonte si virtyte. Që prej shefit të parë e kishte kuptuar se në rrethana të tilla e vërteta nuk ekzistonte. Të vërtetën si dekor e caktonte pushtetari dhe Xhema nuk ishte i tillë sa të luftonte me çdo sakrificë për të drejtat e tij”.

Paragrafi ku përshkruhet pafuqia e Xhemës ndaj punëdhënësit të tij është si një lëmsh që të mbetet në grykë dhe të përcjellë edhe shumë kohë pasi ke përfunduar leximin. Është një ndjenjë që i ngjan të ftohtit që të ka përfshirë kockat dhe edhe kur futesh në një dhomë mjaftueshëm të ngrohtë, nuk mjafton dhe t’i vazhdon të ndjesh valë ethesh tek ta përshkojnë trupin.

Ky mund të jetë një përshkrim për këtë paragraf, mbase për dikë ka kuptim tjetër. Sepse arti nuk është linear, as s’duhet të jetë. Përkundër se “I liri” e ka një narrator brenda që i lidhë ngjarjet dhe i shpjegon deri diku ato, përsëri ka situata e personazhe që krijojnë ambiguitet. Fraza që kanë dykuptimësi, shpjegime që hutojnë dhe rreshta që janë ta hapur për interpretim. Por, a s’është e gjithë fuqia e një vepre aty? Mundësia që secili të ketë eksperiencën e vet krejt unike derisa lexon të njëjtin libër.

Prandaj edhe shumë autorë hezitojnë t’i shpjegojnë veprat e tyre. Nëse e bëjnë, rrezikojnë ta “mbysin eksperiencën”. Është pak a shumë sikur shpjegimi i një shakaje – përderisa ka nevojë të shpjegohet, atëherë s’duhet as të tregohet.

Përgjithësisht, puna artistike kur është didaktike, apo pedagogjik është më pak interesant sesa kur është diçka komplekse, e mjegullt dhe të lë hapësirë për interpretim.

Mbase, duke pasur në mendje këtë, krijues si Bob Dylan e David Lynch gjithmonë u shmangen shpjegimeve të punës së tyre.

Megjithatë, përkundër se autori i “I liri”-t, Lum Gashi, është një Lynchian, ai “rrezikoi” dhe na dha një intervistë për librin e tij.

Bashkë me Lumin, në këtë intervistë për Gazetën Online Insajderi, tentuam të zhbirojmë nëse jo për skutat e veprës në vetvete, atëherë për skutat e inspirimit nga ku u nxorën shkronjat për krijimin e këtij romani.

 

Cila ka qenë ideja a mendimi fillestar prej të cilit ka lind romani?

Më shumë se sa ide, ishte një ndjenjë rraskapitëse e fajit se të gjitha këto probleme e halle të njerëzve përreth po shoqëroheshin me heshtjen time letrare. Por unë s’mund të shkruaja artikuj e kolumne në vazhdimësi sepse nuk janë fahu im. M’u desh frymëzimi për një rrëfim në të cilin mund t’i trupëzoja të gjitha ato të lartpërmendurat. Dhe kur tregimi më ra në kokë, u duk sikur të gjitha ranë në vendin e vet.

Çka trajton romani?

Romani është megjithatë një shtjellim kalimthi i tematikave që gufojnë në realitetin dhe në tryezën e përditshme të një numri të konsiderueshëm të shoqërisë kosovare. Një mik më pati thënë që ky tregim nuk ka bosht. S’kam luftuar të ketë një të  tillë – kam luftuar të shërbejë si një portal drejt trajtimit të këtyre temave. Çdo temë brenda librit është e kurdisur në atë formë që të ngjallë diskutim e jo domosdo të ofrojë shpjegim – lëre më zgjidhje.

 

Çka të lidh me personazhin kryesor edhe me te tjerët?

Me personazhet kryesore më lidhin pak gjëra. Jam shumë i lumtur që në tërësi këto personazhe janë shkëputje nga personaliteti dhe vija e jetës time. Është e pamundur por së paku është një iluzion më bindës se kam dalë nga zgafellja e Unit për aq kohë sa i kam degëzuar këto personazhe.

 

A ke shkrime më të hershme, nëse po çfarë forma letrare?

Unë e kam filluar me poezi dhe më shumë preferoj të identifikohem me to. Mirëpo romani si formë predominante letrare më ka kushtëzuar disi që ta sjell këtë ide në formë  proze. Midis burgut të bukur metrik poetik dhe vargut të lirë Uitmanian, zgjodha romanin e shkurtër që ta adresoj këtë ide. Sidoqoftë, dua ta bind veten se megjithatë arrij të kontrabandoj poetizëm edhe në vargjet e mia prozaike.

 

A të kujtohet përvoja e parë që të ka shtyrë të mendosh për fuqinë e të shkruarit, të fjalëve?

Ndoshta është një moment kur një shoqe e imja e klasës që recitonte më së bukuri në gjithë shkollën doli para tabelës dhe recitoi “E kujtoj mësuesin” të Agim Vincës. Ishin përgatitjet që i bënim për programin e fundvitit, dhe në secilën provë që ajo dilte ta recitonte atë poezi unë pastaj e ndieja të njëjtin emocion. Ishin vitet e para të pasluftës që kur e kishim ndier dhe personalisht dhimbjen e dëbimit – aty besoj vetëdija ime ishte e formuar mjaftueshëm sa të kuptoj se sa fort një poezi mund të vallëzojë me emocionet e dikujt, e kohë më pas edhe me qëndrimet morale dhe bindjet intelektuale të dikujt.

 

Si e ka ndikuar procesin e të shkruarit botimi i librit?

Gjakovarët e kanë mallkimin më të gjetur prej të gjithëve: t’u rrittë mendja! Por me këtë botim mua më është rritur mendja aq sa të guxoj të botoj edhe në të ardhmen.

 

A ke filluar të shkruash diçka të re?

Jam duke shkruar por me një tempo tejet të ngadaltë si shkak i obligimeve të tjera në punë. Nuk e di kush e ka luksin në Kosovë që të jetë shkrimtar me kohë të plotë, por nëse po – lum ai / ajo. Janë të gjitha dorëshkrime në gjuhën angleze të cilat i kam nisur vite më parë dhe tani muaj pas muaji i rivizitoj me pasazhe të reja.

 

Cila pjesë a moment i jetës tënde mendon që ka ndikuar që si rezultat më pas keni filluar të shkruani?

S’mbaj dot mend gjënë e parë që e kam shkruar. Vetëm e di që kjo ndjenjë bezdisëse që të çukitë në kokë dhe që nuk pushon së shqelmuari deri kur ta hedhësh atë frymëzim në copë letre më ka përcjellë gjithmonë. Kur doja të isha cool, ishte bezdi. Por viteve të fundit kur jam pajtuar se ndofta jam një shpirt i vjetër që është i mallkuar të shkruajë – e kam pranuar më në fund si prirje, si nirvanë.

Për fund, dua t’i bëj një falënderim të veçantë Artan Muhaxhirit i cili është një nazeqar i pashërueshëm por i arsyetueshëm i shkrimeve. Pos që ka një tog masiv të librave të lexuar, ai ka një gjykim të hollë të tyre aq sa vetë fakti që emri i tij figuron si redaktor në librin tim, më bën më të guximshëm që t’i qëndroj prapa këtij romani.