Udhëtimi për në Belgjike javën e kaluar për të xhiruar disa pjesë të emisionit “Jo vetëm modë”, që ishte i pari për Orinda Hutën, nuk doli të jetë aq magjik sa ajo e kishte paramenduar gjithnjë, njofton Insajderi.
Ajo mezi kishte pritur një udhëtim jashtë vendit, dhe ideja se do të vizitonte qytetin e diamanteve, Antwerp, ishte shumë emocionuese për këngëtaren dhe moderatoren e emisionit “Jo vetëm modë”.
E në momentin që ajo arriti në qytetin belg, u shtang nga boshatisja e tij, si pasojë e pandemisë.
“Për mua, hera e pare që e vizitoja dhe me kënaqte ideja… edhe pse në një kohe ku vizitat jashtë lejohen vetëm për punë e për arsye mjekësore. Nuk dua të ndaj veç kaq por edhe trishtimin që më përfshiu teksa vizitoja qytetin e diamanteve. Ishte BOSH! Bosh nga qytetarët, bosh nga turistet”, shkruan Huta.
Huta thotë se ata pak njerëz që endeshin në rrugët e këtij qyteti, i shikonin ‘shtrembër’ stafin që po xhironin pa maska.
“Tek tuk shikoje ndonjë qytetar qe na shikonte shtrembër kur xhironim pa maskë. Sa e trishtë për një vend turistik të shikoje sheshet bosh. Po jetojmë në një kohë të vështirë por që do ia dalim, duke treguar kujdes për veten e për njerëzit që duam. Është e tmerrshme bashkëjetesa me maskën, por DUHET. Për veten dhe për njerëzit që duam”, përfundon ajo shkrimin në një postim në llogarinë e saj në Instagram.
Belgjika ishte një nga vendet më të goditura gjatë valës së parë të Coronavirusit në Evropë në fillim të këtij viti.
Në përgjithësi, ajo ka numrin e tretë më të lartë të vdekjeve të lidhura me Covid për 100,000 njerëz në mbarë botën, pas vetëm Perusë dhe San Marinos, sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”.
Sipas CNN, Belgjika së shpejti mund të mbingarkohet nga infeksionet e reja të Coronavirusit, ka paralajmëruar ministri i shëndetësisë, Frank Vandenbroucke, duke parë rritjen e rasteve në të gjithë vendin.
Masat e reja në përpjekje për të ndaluar përhapjen hynë në fuqi këtë të hënë. Të gjithë baret dhe restorantet janë të mbyllura për katër javë. /Insajderi.com