Nipi i Avni Mulës na rrëfen momentet e fundit të kompozitorit

Nipi i Avni Mulës na rrëfen momentet e fundit të kompozitorit

Mbrëmjen e sotme (29 tetor), u nda nga jeta një nga kompozitorët më të shquar të muzikës shqiptare, Avni Mula.

Nipi i kompozitorit, Osman Mula – regjisor në RTSH dhe kompozitor i njohur shqiptar nga Shkodra – për “Fax News”, ka zbuluar se si ishin ditët e fundit dhe rrëfen gjendjen e tij të rënduar shëndetësore, njofton Insajderi.

“Ditën e fundit nuk e kam takuar se ishte me oksigjen në shtëpi. Kujdesi i është bërë nga familjarët në mënyrë të shkëlqyer që kanë pasur kujdes të përhershëm dhe të përditshëm. E gjithë jeta e tij ka qenë pranë të tjerëve dhe finalja duhet të ishte që të tjerët që të ishin pranë tij. Janë disa probleme të tijat që mbase dhe mund të kishte ndonjë rezervë të vetën, por përgjithësisht i realizoi disa detyra që kishte në plan”, thotë ai për gazetën.

Kompozotori, deshi që vetëm edhe njëherë të udhëtonte drejt Rusisë, në Moskë, të vizitojë me të bijën, Invën,  Konsevatorin “Çajkovski” ku kishte studiuar dhe kishte takuar dashurinë e jetës së tij, sopranon, Nina Mulën.

“Ai kishte dëshirë që të shkonte me Ninën në Konservatorin ku kishte mbaruar shkollën dhe pati emocione se bashkë me Ninën u futën sërish në ato klasa e korridore. Ballafaqimi tjetër është kur Inva dha shfaqje në teatrin më të madh në Moskë dhe tha jam vajzë e dy prindërve, një nga Shqipëria që studioi këtu dhe një ruse që shkolla i njohu me njëri-tjetrin dhe jam pjesë e tyre. E gjithë salla duartrokiti”, rrëfen nipi.

Një dëshirë e kompozitorit, ishte të kthehej në vendin e lindjes, Gjakovë, për të dhënë në shfaqje për të gjithë dashamirët e artit të tij.

Ai kishte shumë dëshirë që të jepte një shfaqje në qytetin e Gjakovës, të cilin ai dhe familja ime e ka përmendur në të gjithë historikun e vet. Të gjithë e donin shumë sepse të tjerët ishin pedagogë mësues. Avniu u mor me artin dhe të gjithë i kishim sytë nga ai. Para se të shkonte jashtë, ishte ndër sportistët më të mirë në Shkodër.

Një shfaqje në vendlindje i kishte mbetur peng që ta realizonte edhe me të bijën, Inva Mulën, e cila zgjodhi hapat e prindërve të saj.

“E kishte peng dhe arriti të jepte shfaqje me gjithë Invën në sallën e Gjakovës. Të shohësh nipat dhe motrën që kishin vite pa i parë është emocion. Shumë gjëra që nuk arriti me i ça në skenë, shumë gjëra që kishte dëshirë i realizoi brenda familjes”, tha Osman Mula.

Avni Mula është autor i këngëve të njohura si “Valsi i lumturisë”, “Vajza me kaçurrela”, “Shqipëri, o vendi im” etj. /Insajderi.com