Piktorja shqiptare nuk fitoi dot betejën me COVID-19

Piktorja shqiptare nuk fitoi dot betejën me COVID-19

Sot piktorja e njohur shqiptare, Lumturi Blloshmi humbi jetën nga COVID-19 në moshën 76 vjeçare, njofton Insajderi.

Është mësuar se e ndjera, prej tre javësh po luftonte me virusin vdekjeprurës.

Pas ndarjes nga jeta të Bollshmit, ka reaguar edhe ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, përmes një deklarate në rrjete sociale

“COVID-19 na mori sot një tjetër emër të madh të artit shqiptar: Lumturi Blloshmin, ndër të paktat artiste pamore të brezit të saj, që sfiduan kohën, sistemet politike, ndryshimet e mëdha. Kur vizitova “Arkivin e hapur” në Galerinë Kombëtare të Arteve u ndala përpara bustit të saj. Një portret i skalitur ashtu si ishte arti dhe qëndrimi i saj estetik. Lamtumirë e shtrenjta Lume! Ti që na fole me veprën tënde më shumë se mijëra fjalë”, shkroi Margariti.

Bollshmi, e cila njihej si “Frida Kalo” shqiptare, është vlerësuar si një përfaqësuese e denjë e pikturës bashkëkohore shqiptare.

Ajo lindi në Tiranë në vitin 1944 dhe në 1968 u diplomua për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve. Në vitin 1988 prezantoi ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë.

Më pas, ajo do bëhej pjesë e ekspozitave në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena dhe New York. Gjithashtu, Blloshmi u shpall fituese konkursin ndërkombëtar “Onufri ’94”.

Vitet e fundit të jetës, Lumturi Blloshmi u prezantua me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës dhe Korçë. /Insajderi.com