“Unë do të organizoj protestën më të madhe që ka parë ndonjëherë populli shqiptar”, ishte deklarata euforike e Stresit për kamerat e Tv Klan gjatë protestës për Klodian Rashës, video të cilën reperi e publikoi edhe në llogarinë e tij në Instagram, njofton Insajderi.
View this post on Instagram
Por kjo thirrje i solli telashe atij dhe disa të tjerëve, të cilët janë shpallur të kërkuar nga policia. E ndërsa të gjithë po kërkonin Stresin në Tiranë, ai kishte ikur nga rruga për të marrë rrugën drejt Kosovës.
Në një rrëfim për emisionin Prive, Stresi ka zbuluar se si arriti të arratisej drejt Kosovës.
“Mora një shok të timin që punon me makinat e varrimeve, vetëm për të dalë nga protesta. Kemi shkuar deri në Laç me të. Aty pastaj drejt Kosovës”, ka treguar reperi.
Nuk harroi t’i falënderonte të gjithë miqtë që i dolën në krah atij.
Ai shprehet sërish se kjo protestë është organizaur 100% prej tij në çdo detaj. Reperi ka thënë se në protestë nuk ishin personalisht për ministrin Lleshaj që dha dorëheqjen, por për institucionet dhe kabinetin e Rilindjes.
Kjo nuk është hera e parë që reperi ka telashe me rendet e ligjit. Në vitin 2012, ai u arrestua gjatë kohës, që po dilte nga një lokal nate, pasi me vete kishte një pistoletë pa leje.
Në janar të 2015-s, Stresi ishte arratisur nga komisariati i policisë nr. 3 në Tiranë. Për këtë ngjarje u hetuan disa policë për mosveprime, ndërsa vetë këngëtari u shpall në kërkim. Atëherë ai ishte ndaluar pasi kishte shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke i dhënë makinës në gjendje të dehur.
Ndërsa, në tetor të vitit 2018, në një njoftim për mediat, policia kishte deklaruar se Arkimed Lushaj ishte anëtar i një grupi kriminal që operonte në Tiranë në trafikun e narkotikëve dhe krimeve kundër personit. Arrestimi i artistit erdhi pas hetimeve disa mujore pikërisht ndaj këtij grupi.
Lushaj u kap në një hotel në Linzë dhe iu sekuestruan një sasi e vogël kokaine, një pistoletë dhe 12 fishekë 7.65 mm. /Insajderi.com