Ishte goxha vit! E lamë pas më në fund, por jo pa shumë plagë, dhimbje, zhgënjim dhe lodhje.
Intensiv, do ishte fjala për të përshkruar 2020-tën, që përfshiu një vorbull ngjarjesh edhe në sferën e argëtimit.
Insajderi sjellë për ju më poshtë disa nga ngjarjet që shënuan vitin 2020 në botën e showbizit.
Ndërron jetë bilbili i këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha
E dashur dhe e admiruar nga të gjitha brezat për vokalin e jashtëzakonshëm, emocionet dhe krenarinë që i dhuroi kombit në dekada, dita e 7 shkurtit ishte e kobshme për artin shqiptar.
Në moshën 86 vjeçare, ndërroi jetë Nexhmije Pagarusha pas një sëmundje të shkurtër por të rëndë.
Në 40 vite karrierë, kjo artiste që studioi në Beograd, nuk interpretoi vetëm Puccinin dhe Verdin, por i la muzikës shqiptare këngë si “Baresha”, “Zambaku i Prizrenit”, “Ke selvitë”, “E dehur jam”, ndërsa llogaritet se me zërin e saj janë regjistruar rreth 150 materiale muzikore.
Nexhmije Pagarusha nga admiruesit dhe kritikët e muzikës quhet edhe ‘Bilbili i Kosovës’, ‘Mbretëreshë e Muzikës Shqipe’ e ‘Zonja Flutur’.
Derisa në Kosovë e mori titullin “Këngëtarja e Shekullit”, ajo kishte popullaritet dhe në vendet e ndryshme Evropiane, ku mbante edhe koncerte sidomos me ansamblin e njohur “Shota”, në vendet si Mqedoni, Bosnjë, Bullgari e madje edhe në Izrael.
Këngëtarja e përfundoi karrierën e saj muzikore në vitin 1984, me një koncert të madh në Sarajevë.
‘Lezeti’ i kinematografisë shqiptare, Leze Qena ndahet nga jeta
Në mëngjesin e 25 marsit, u dha lajmi se aktorja Leze Qena ndërroi jetë pas një sëmundje dhe trajtimi intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Aktorja ishte 85 vjeçare.
Aktorja nga Prizreni, shkollën fillore dhe të mesme qytetin e saj, ndërsa më pas vazhdoi shkollimin e lartë në Prishtinë.
Aktorja më pas filloi edhe karrierën si aktore, ku takoi edhe bashkëshortin e saj, aktorin Xhevat Qena, i cili u nga jeta po në muajin mars, me datë 24 të vitit 2003.
Lezja ishte aktore shumë e dashur dhe me vlerë për Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ajo njihet për shumë role në shfaqje, filma e seri të shumta televizive shqiptare, si “Po e zëm, po e zën”, “I ikuri (Fidani)”, “Qesh e ngjesh”, e “Të gjithë me ne ndër të tjera”, në të cilat është shfaqur që nga vitet 1970.
Nga vitet 2000, karriera e saj u fokusua në seriale vendore duke filluar me “Mahmutovitët e Rexhepovitët”, më pas për rolin e ‘Gjyshes’ në serialin “Familja Moderne”, “Kombinati” dhe së fundi në komedinë “Çka ka shpija”.
Violeta Rexhepagiq gjendet e pajetë në banesën e saj
Me 16 prill, mediat vendore raportuan se gazetarja dhe këngëtarja e njohur, Violeta Rexhepagiq u gjend e vdekur në banesën e saj në Prishtinë në moshën 45 vjeçare. Shkaqet nuk u bënë të ditura për publikun asnjëherë.
Ndonëse prej kohësh e shkëputur nga jeta publike, lajmi tronditi publikun e gjerë.
Violeta Rexhepagiqi e nisi karrierën në muzikë që në moshë të hershme. Ajo interpretoi më shumë se 40 këngë për fëmijë si edhe u angazhua për të bërë zërat e personazheve në radio-drama.
Ajo u bë e njohur për publikun përmes grupit Vivien, të formuar në vitin 1984 në Prishtinë, ku performonte së bashku me vëllain, Armend Rexhepagiqin. Disa nga këngët më të njohura qenë “Romantika”, “Zhurma e erërave të dikurshme”, “Nuk e di, më thuaj” etj.
Gjatë kësaj kohe, ajo përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjedhjen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”.
Ajo për vite me radhë raportoi për torturat e popullit shqiptar nga strukturat serbe dhe pas RTP-së, punoi edhe në RTK dhe në TV Sky News.
Amshohet edhe ‘mohikani i fundit’
Kur Leze Qena kishte ndërruar jetë në mars, një nga kolegët e miqtë e saj më të mirë, aktori Adem Mikullovci, kishte treguar se të dy qeshnin se kishin mbetur dy mohikanët e fundit, dhe se cili nga ata të dy do ikte i pari afër Xhevatit të ndjerë.
“Më shkove edhe ti..! A të kujtohet Leze kur ndejtëm bashk herën e fundit qesheshim me fatin që ne të dy mbetëm Mohikanët e fundit dhe pyeteshim se a thua cili nga ne do të shkon i pari te Xhevati: Une thash: ‘Leze unë do të shkoj para teje’…Ti ma kape veshin dhe më bêrtite:’Përkundrazi unë shkoj para teje, mua më ka grua e ty vetëm shok’”, kishte shkruar aso kohe aktori.
Tetë muaj më vonë pas vdekjes së Leze Qenës, me datë 15 shtator ndërroi jetë në moshën 83 vjeçare, aktori dhe politikani, Adem Mikullovci.
Aktori i lindur në Vushtrri në dhjetor të vitit 1937, ka luajtur në dhjetëra role kryesore dhe dytësore në projekte të ndryshme filmike.
Pas ndërprerjes së studimeve në Akademinë për Teatër dhe Film në Beograd në vitin 1968, ai u kthye në Prishtinë dhe filloi punën në teatër. Prej atij viti e deri në korrik të vitit 1990, Adem Mikullovci bëri një karrierë me 45 role kryesore si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore.
Rolet më të dalluara i realizoi në shfaqjet: “Duke pritur Godonë”,”Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta” me rekord shikueshmërie (nganjëherë me nga dy shfaqje në ditë), “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja” etj. Mikullovci gjithashtu ishte regjisor i disa shfaqjeve në teatër, si: “Pas vdekjes”(Çajupi), “Mosha e bardhë”(D.Agolli), “Dan Shejtani”, “Engjulli i stacionit”, monodrama “Bihorasit”(dramatizim i veprës së autorit Q.Sijariq), “Ti mos u përziej”, komedia “Shtrati”, stend up komedia “Përgjuesi”.
Në vitin 2017, në zgjedhjet e 11 Qershorit, ai u zgjodh si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse në vitin 1990 ishte në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut.
Avni Mula fluturoi në Valsin e Përjetësisë
Kështu kishte shkruar Inva Mula në një postim në Facebook, teksa dha lajmin se babai i saj, kompozitori dhe këngëtari, Avni Mula ka ndërruar jetë me datë 29 tetor. Artisti ishte 92 vjeçar.
Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik.
Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike.
Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës. Zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë vendit.
Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”.
Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”. Avniu u martua me sopranon ruse Nina Mula dhe sollën në jetë një vajzë Inva Mulën.
Ndahet nga jeta ikona e muzikës popullore, Ismet Peja
Këtë 23 dhjetor, në moshën 83 vjeçare, një nga figurat më të shquara të muzikës popullore, Ismet Peja, ndërroi jetë.
Dashurinë për muzikën ia ngjalli babai i tij, Musa Peja që ishte gjithashtu këngëtar i melosit shqiptar.
Ishte vetëm një djalosh 12 vjeçar kur nisi të merrej me muzikë si anëtar i shoqërisë muzikore “Hajdar Dushi” në Gjakovë.
Disa albume më vonë dhe këngë të shumta, zëri i tij shoqëronte çdo aheng e gëzim familjar.
Gjatë karrierës së tij ai solli një sërë këngë si “Knoma kangen sa t’jam gjall”, “Robi plaket kur don vet” dhe jo vetëm.
Loredana dhe Petra Z. bëjnë paqe
Në tetor, Loredana dhe Petra Z. arritën një marrëveshje. Zyra e prokurorit publik të Lucernit hetoi më parë mashtrimin e dyshuar me një shumë të mundshme prej 350,000 frangash kundër reperes. Loredana u mor në pyetje në qershor, ku më pas prokurori do të vendoste nëse do të ngrinte akuza.
Por nuk erdhi tek ngritja e një aktakuze për faktin se dyshja kishin zgjidhur mes tyre problemin ligjor. Petra dhe burri i saj Hans Z. akuzuan reperen se u kishte zhvatur rreth 700,000 franga.
Loredana i pranoi akuzat, kërkoi falje për sjelljen e saj dhe i ktheu palës së dëmtuar më shumë sesa shuma e përcaktuar e veprës penale së pretenduar, njofton Insajderi.
Reperja pranoi, ndër të tjera, se ajo pretendoi në mënyrë të paligjshme se ishte avokate, mashtroi palën e dëmtuar dhe i mori para. Zyra e prokurorit publik po merr një shumë prej rreth 430,000 frangash zvicerane (398,725 euro).
Palët kërkuan një zgjidhje pa ndjekje ligjore të mëtejshme, siç thuhej në njoftimin e prokurorit publik. Për këtë qëllim, ishte planifikuar një negociatë për zgjidhjen, ku palët arritën një zgjidhje gjithëpërfshirëse. Sipas zyrës së prokurorit publik të Lucernit, ishte gjithashtu çështje e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve midis palëve: “Loredana i kërkoi falje palës së dëmtuar për veprimet e saj. Ajo pranoi se kishte vepruar në mënyrë të paligjshme dhe kishte marrë përgjegjësinë e plotë mbi veprimet e saj”.
Sipas njoftimit, reperja i ka paguar palës së dëmtuar dëmshpërblim që është dukshëm më i lartë se shuma e pretenduar e krimit. Përveç kësaj, ajo mori përsipër shpenzimet e procedurave penale.
“S’ka virus”
Bota po luftonte me pandeminë e Coronavirus-it, ndërkohë që Labinot Tahiri në mënyrë konstante insistone që njerëzit, përfshirë këtu dhe artistë të vazhdojnë aktivitetet e tyre si gjithmonë.
E gjitha duket se nisi në muajin maj me deklaratën e tij të gjatë të publikuar në rrjetin e tij social, Facebook, lidhur me anulimin e dasmave dhe ahengjeve – masë kjo e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës, njofton Insajderi.
Ai tha se “nga ky vendim mbesin pa punë rreth 30 mijë punëtorë sa i përket restoranteve, e gjithashtu edhe ai si pjesë e estradës dëmtohet ekonomikisht, duke përmendur që ka edhe kredi në bankë me këstin mujor prej 2100 euro”. Ishte ky postimi kur për të parën herë, këngëtari kishte bërë me dije se do të organizonte protesta.
Labi kishte mbrojtur deklaratat e tij edhe në studio televizive e madje ka pasur edhe një debat me kolegen e tij, Leonora Jakupin, duke i arsyetuar kërkesat e tij. Gjatë bisedës, Leonora i tha se ata si këngëtarë, me siguri se kanë ruajtur disa të holla për të kaluar këtë kohë pandemie dhe nuk ka arsye që të rrezikohen jetët e qytetarëve.
Një muaj do të kalonte dhe në qershor, postimet e Labit u shpeshtuan me theks të veçantë për pandeminë – vlen të theksohet se platformat e tij në rrjete sociale, Tahiri për vite të tëra i ka përdorur duke bërë thirrje për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, teksa vetë inicionte dhe vazhdon të iniciojë fondacione për të sëmurët dhe skamnorët.
Një tjetër çështje që mori mjaft vëmendje ishte peticioni i nisur me 6 korrik në Change.org, ku kërkohej që Labinot Tahiri të vizitojë të prekurit nga COVID-19 pa maska, të dëshmojë kështu që nuk ka virus.
Muaj do të kalonin, dhe këngëtari mund të mos kishte ndryshuar mendim, mirëpo me gjithë mundësitë që kishte ndihmoi në lehtësimin e luftës kundër virusit.
Në gusht, ai hapi dyert e fondacionit të tij, “Labinot Tahiri”. Duke lënë bindjet e tij personale anash sa i përket ekzistencës së virusit, Labinot Tahiri dhe bordi i fondacionit të tij, në dhjetor ndanë mjete financiare prej 10 mijë eurosh, me të cilat u blenë boca oksigjeni për të furnizuar spitalet.
Robin Krasniqi – Kampion bote dhe kampion në dashuri
Për një ndarje mes çiftit të fejuar, modeles Heidi Lushtaku dhe boksierit Haxhi “Robin” Krasniqi, u përfol në vitin 2019, ishte modelja ajo që në prill të këtij viti, konfirmoi ndarjen e tyre.
Çifti i kishin dhënë fund lidhjes së tyre 4-vjeçare, disa muaj më parë që kur Lushtaku e kishte konfirmuar në prill.
“Ndarjet janë të vështira dhe aspak të këndshme, sidomos pas një periudhë afërsisht katërvjeçare, të cilën e kemi të mbushur me përjetime të këndshme dhe të hareshme. Nga pamundësia që ta ruajmë këtë harmoni, ekuilibër dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit në vijim, kemi vendosur para shtatë muajsh t’i japim fund fejesës sonë”, kishte shkruar ajo mes tjerash.
Më 10 tetor, Robin Krasniqi, u kurorëzua kampion bote për titujt IBO dhe WBA, duke përmbushur një ndër arritjet më të mëdha në karrierën e tij.
33-vjeçari arriti të rrëzojë me nokaut. në raundin e tretë gjermanin, Dominic Boesel, në një ndeshje që foli totalisht për të duke u bërë i pari shqiptar kampion bote në boks.
Për këtë arritje të jashtëzakonshme në karrierën e tij, kishte reaguar edhe modelja duke e uruar në një sërë postimesh në llogarinë e saj në Instagram.
Pak kohë pas kësaj, u bë e ditur se çifti i kanë dhënë një tjetër shans fejesës së tyre dhe janë bashkuar.
I ftuar në “Shiko kush Luan” në dhjetor, ajo zbuloi se ata dy kishin plane edhe për martesë, por si çdo gjë edhe kjo kishte mbetur në pauzë si pasojë e pandemisë.
Muaji qershor, viti 2020: Shumë të famshëm shqiptarë u bënë prindër
Muaji qershor i këtij viti paska qenë muaji i jetës. Shumë të famshëm shqiptarë u bënë prindër ose për herë të parë ose përsëri.
Ryva Kajtazi dhe Fidan Rexhepi
Në ditën e fëmijëve, me 1 qershor, këngëtarja Ryva Kajtazi u bë sërish nënë. Ajo mirëpriti në jetë fëmijën e saj të dytë, një vogëlush që e quajtën Fron.
Elgit Doda dhe Klea Huta
Një tjetër çift rishtazi të martuar, Elgit Doda dhe Klea Huta u bënë prindër për herë të parë këtë qershor. Çifti u lindi djalë me datë 4 qershor që i lanë emrin Krid. Gjithsesi, çifti kanë preferuar të mos zbulojnë ende portretin e vogëlushit.
Mc. Kresha dhe Erzina Shehu
Çifti që u martuan në shtator të vitit 2019, më 8 qershor mirëpritën fëmijën e tyre të parë. Në jetë erdhi një vajzë që i lanë emrin Iza.
Marigona Dragusha
Ndonëse shtatzëninë e saj nuk e kishte bërë publike, ish-Miss Universe Kosova 2009, Marigona Dragusha me datë 18 qershor dha lajmin se është bërë nënë për herë të dytë. Ajo solli në jetë një vogëlush me emrin Leka.
Jonida Vokshi dhe Besnik Krapi
Me 18 qershor, aktorja Jonida Vokshi dhe producenti Besnik Krapi u bënë prindër për herë të parë. Ata sollën në jetë një vogëlushe me emrin Emi.
Alba Çobaj
Moderatorja në Tv Klan, që u bë e njohur fillimisht si banore në “Big Brother 8”, u bë nënë për herë të parë. Ajo lindi një vajzë me datë 20 qershor, që i lanë emrin Sofia.
Fiona Gllavica dhe Arbnor Pacolli
Aktorja e njohur Fiona Gllavica që u bë e famshme me rolin e Pajtesës në serialin vendor, “Çka ka shpija”, u bë nënë për herë të parë. Ajo dhe bashkëshorti i saj Arbnor Pacolli mirëpritën në jetë një vogëlush me datë 25 qershor dhe e quajtën Lekë.
Arbër Gjikolli dhe Blerina Bokshi.
Producenti i njohur shqiptar Arbër Gjikolli – që të gjithë e njohim si Big Bang – dhe gruaja e tij, Blerina Bokshi u bënë prindër për herë të parë. Me 26 qershor 2020, në jetë erdhi një djalë që e quajtën Titan.
Mc Kresha lë Kosovën për Kanadanë
Në një botë para-pandemike, në dhjetor të vitit 2019, në një ceremoni të bukur po shumë intime, reperi nga Mitrovica i dha fund beqarisë, duke u martuar me Erzina Shehun.
Aso kohe partnerja e tij ishte shtatzënë, diçka që e bënë të ditur shumë më vonë për publikun. Kah fillimi i vitit 2020, ai mori rrugën drejt Kanadasë, ku edhe jeton bashkëshortja e tij Zina.
Aty në muajin qershor mirëpritën edhe fëmijën e tyre të parë, një vajzë që i lanë emrin Iza.
Përgjatë një viti, artisti u distancua nga rrjetet sociale dhe prurjet e reja muzikore, duke iu përkushtuar familjes. Ai akoma po qëndron në Kanada, por së fundmi është përfolur se ai do të rikthehet.
Nominime të pafundme për Dua Lipën – Qershia mbi tortë: Gjashtë nominime “Grammy”
Që nga debutimi i saj në vitin 2015, Dua Lipa ka pasur suksese të jashtëzakonshme, por viti 2020 merr kupën.
Në fund të këtij marsi, Dua Lipa u ndodhë para një dileme të madhe: a do të ishte e pandjeshme të publikonte albumin e saj të ri në kohë pandemie?
Por që albumi rrodhi në internet dy javë para datës zyrtare të publikimit, e që në profesionin e saj, është një nga situatat më fatkeqe që një artist mund të ndodhet.
Dhe kështu, ajo publikoi pak më herët albumin e saj, i dyti me radhë që ka titullin “Future Nostalgia”. E prezantoi këngëtaren në një frymë krejt ndryshe, duke na kujtuar muzikën e diskove të viteve ’70.
Albumi pati një sukses të jashtëzakonshëm, si në shitje ashtu edhe në renditje të top listave. Vetëm tani, në moshën 25 vjeçare, me dy albume të publikuara, Lipa rangohet ndër artistët me më së shumti këngë të shitura të të gjitha kohërave, njofton Insajderi.
Një nga ëndrrat e saj më të mëdha u bë realitet këtë vit. Për herë të parë ajo bashkëpunoi me legjendën e pop-it Madonnën, dhe reperen Missy Elliot, në një rikrijim për këngën “Levitating”.
Me shumë stil ajo debutoi edhe në industrinë e muzikës latine, me këngën “Un Dia” në bashkëpunim me Balvin, Bad Bunny dhe Tainy. Në muajt e verës kënga qëndroi e para në top-listat latine.
Dua Lipa mori çmimin për “Efektet më të mira vizuale” për këngën e saj, ‘Physical’ në MTV Video Music Awards 2020 – kënga është pjesë e albumit të saj të dytë në studio ‘Future Nostalgia’.
Kënga ka marrë vlerësim kritik në të gjithë botën, Chris Taylor i “The Line of Best Fit” e quajti atë “kënga e përsosur e stërvitjes këtë dekadë”, ndërsa Jordan Emery e vlerësoi këngën në mesin e “këngëve më të kreative që ka dëgjuar për një kohë të gjatë”, duke thënë atë “ju hedhë përreth dhomës me intensitetin e saj të furishëm”.
Lipa ishte një pretendente kryesore për çmimin më të rëndësishëm të Mbretërisë së Bashkuar, “Mercury Prize”. Ndonëse Dua Lipa ka një nga albumet më të suksesshëm të këtij viti, nuk arriti që të çojë çmimin prestigjioz në shtëpi.
Edhe Dua Lipa një pretendente e fortë nw “Emmy Awards”, duke u nominuar për kategorinë më të rëndësishme të natës si “Artistja më e mirë”, në kategorinë “Kënga më e mirë” për këngën “Don’t Start Now” dhe në kategorinë “Best Pop”.
Artistja me origjinë shqiptare u nominua në “ARIA Awards 2020” për “Artisti më i mirë internacional”.
Këngëtarja, u nominua edhe në “LOS40 Music Awards”. “Best Artist”, “Best Album”, “Best Song” dhe “Best Video” janë nominimet që ka marrë ajo në këtë event ndarjesh çmimesh i themeluar nga radio-stacioni, “LOS40”.
Suksesi i saj më i madh që bëri këngëtaren të qajë lot gëzimi kur mori telefonatën që i dha asaj lajmin se është nominuar për gjashtë çmime “Grammy”.
Albumi që lansoi në mars, është nominuar në kategorinë më të rëndësishme si “Albumi i vitit” dhe në kategorinë tjetër, “Albumi me vokalin më të mirë pop”. Shtuar këtu kënga “Don’t Start Now” është nominuar në “Produksioni i vitit”, “Kënga e vitit” dhe “Kënga më e mirë solo në zhanrin pop”.
Ndërsa kënga “Un Día (One Day)” është nominuar për kategorinë, “Performanca më e mirë e duos/grupit pop”.
Këngëtarja la pas një vit të pashembullt në karrierën e saj.
Martesa fetare e Gold Ag dhe ardhja në jetë e djalit në një datë historike
Arian Agushi është një nga artistët e industrisë sonë që më çdo kusht e mban jetën e tij larg vëmendjes së publikut.
Ishte kjo arsyeja pse atë ditë që ai u martuar ishte lajmi kryesor nëpër mediat rozë. Gold Ag i dha fund beqarisë duke u martuar me estetisten, Emira Shkodra.
Çifti u fejuan në mars të vitit që lamë pas, dhe lajmin e kishte ndarë me ndjekësit e tij vetë reperi.
Në prill dyshja u martuan me rite fetare dhe këtë lajm e kishte ndarë imami Ahmed Kalaja me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook. Ishte Kalaja ai që kishte dirigjuar nikahun e reperit, që ai e quajti një vëlla.
Ndërkaq, këtë 28 nëntor, teksa gjithë shqiptarët anembanë botës po festonin, reperi dha lajmin se në jetë erdhi i biri i tij.
Beqari më i kërkuar bëhet baba
Një romancë disa vjeçare mes Ledrit dhe Sara Hoxhës, u konfirmua me 1 prill, me anë të një postimi në Instagram.
Ishte Ledri ai që kishte publikuar një foto përkrah Sarës në llogarinë e tij në Instragram, dhe për disa ditë rresht, mediat sociale ‘vlonin’ me postime për çiftin. Beqari më i kërkuar ishte kokë e këmbë i dashuruar!
Përgjatë gjithë vitit ata ishin kryefjala e mediave rozë, sidomos kur konfirmuan lajmin se janë në pritje të ëmbël.
Viti i çiftit u bekua me ardhjen në jetë të vajzës së tyre këtë dhjetor. Ata i lanë emrin Poem Blu dhe vazhdojnë të qëndrojnë në Gjermani, afër familjes së Sarës.
Në fshehtësi të plotë Shkurte Gashi bëhet nënë
Dimë përmendësh këngët e bukura të Shkurte Gashit, por kaq na lejon këngëtarja e cila mban në hermetizëm jetën e saj personale.
Përgjatë vitit 2020, ajo nuk solli asnjë këngë të re dhe kureshtja se nga bëhet këngëtarja rritej dita ditës për fansat saj.
Në rrjete sociale dhe media qarkullonte një thashethem se ajo është shtatzënë, diçka të cilën ajo as nuk e mohoi as nuk e konfirmoi kurrë.
Më 22 dhjetor, media të shumta nisur nga burime të afërta, shpërndanë lajmin se ajo ishte bërë nënë për herë të parë. Më vonë me anë të një postimi të ndarë nga kompania dekoruese që u kujdes për festën e mirëpritjes Shkurtes dhe të birit në shtëpi zbuloi se emri i vogëlushit është Mal.
Në anën tjetër, të gjithë ishin kureshtarë të dinin se kush ishte partneri dhe babai i foshnjës.
Ka qenë djali i Shyhrete Behlulit, Lum Salihu, ai i cili në një dhuratë të dërguar çiftit pas ardhjes në jetë të djalit, ka rishpërndarë postimin falënderues të bërë nga babai i fëmijës.
Emri i tij është Albert Limani, identitetin e së cilës këngëtarja ka preferuar ta mbajë tërësisht larg syve të publikut.
Dikur dyshja më e mirë, sot as nuk flasin
♪Gjej një dyshe më të mirë, prit nuk ki♪ – kështu këndonin Tayna dhe Dafina në produksionin muzikor me dy këngë në një, të titulluar “Bye Bye”, që u lansua në gusht të vitit 2019.
Në sytë e publikut, të dyja krijuan një imazh si dyshja dinamike, dy gra të së njëjtës industri që mbështesin njëra tjetrën – një shembull për t’u ndjekur.
Por kjo miqësi ishte mjaft jetë shkurtër, kur në rrjete sociale u vërejt një distancim mes artisteve përgjatë gjithë vitit 2020. Ato më as nuk flasin, dhe ç’është më e rëndësishmja as nuk ndjekin më njëra tjetrën në rrjete sociale.
Është e vështirë të dyshosh në atë që fansat shkruajnë në rrjete sociale, të cilët në vazhdimësi aludonin në një prishje raportesh.
Kënga “Zili Zili” e Dafina Zeqirit e publikuar me 22 tetor, përflitet se është një ‘diss’ drejtuar ish-mikes dhe bashkëpunëtores së saj Taynas.
♪Inatin mrena n’shpirt e kini. S’mun dashni me dhon kur n’zemrën tane ki veq zili zili♪, këndon Zeqiri në këngën e lartpërmendur. Në postime para publikimit të këngës ajo kishte theksuar se kjo këngë i dedikohej gjithë grave që nuk mbështësin njëra tjetrën.
Menjëherë pas këngës së Dafinës, Tayna ishte e ftuar në emisionin e Meriton Mjekiqit “Gjoni Black”, ku siç e do zakoni i këtij emisioni, ka bërë edhe një freestyle. Dhe të gjithë fansat mendojnë se ai është “diss” për Dafinën dhe kundërpërgjigje ndaj këngës së saj “Zili zili”. Ndër të tjera, reperja thotë gjatë freestyle:
♪Po m’vje inati? Jo bre, ty t’vjen inati. Hajde po shtyhum, sy m’sy se dorën ta zgjati. Ato nuk din me fol shqip wow, le mo me repovat! Dhjetë vjet karrierë për dy vjet i kom bo♪.
Është mëkat, më e pakta që mund të thuhet për prishjen e raporteve nga një dyshe që bënë ‘boom’, dhe më pas dëshpëruan një publik që i adhuronte bashkë.
Një vit përplot çmime kinematografike dhe dashuri për Adriana Matoshin
Sa herë që shkruhej për Adriana Matoshin në media, shkruhej për të njoftuar për një çmim të ri që ajo kishte rrëmbyer.
Filmi debutues i Antoneta Kastratit, “Zana”, që pati premierën e tij botërore në festivalin e madh të Torontos në Kanadë na solli aktoren në rolin kryesor. Në gusht Adriana Matoshi fitoi çmimin e aktores më të mirë në konkursin zyrtar Ndërkombëtar në Festivalin e Filmit “Fantaspoa” në Brazil.
Në tetor, po për të njëjtin rol në filmin “Zana” Adriana Matoshi u shpall fituese e çmimit ‘Aktorja më e mirë femër’, në Festivalin e Filmit Mostra de València.
Një çmim tjetër i shtohet karrierës së saj, në muajin qershor për një tjetër film. Matoshi shpërblehet me çmim si aktorja më e mirë në Festivalin e Francës “See A Paris”, për rolin e saj në filmin “Nëntori i Ftohtë” me regji të Ismet Sijarinës.
Ndërkohë, përgjatë gjithë suksesi të saj kinematografik, aktorja po shijonte edhe një romancë.
Së pari herë, aktorja, Adriana Matoshi konfirmoi se ishte në lidhje, e ftuar në emisionin e Luana Vjollcës në “Shiko Kush Luan”. Kur u pyet se nëse është në lidhje, ajo u përgjigj thjesht “Po”, me sy që i shndrisnin.
Me 9 tetor, në një intervistë ekskluzive për “Prive”, aktorja na prezantoi edhe djalin që i ka vjedhur zemrën. Ai është muzikanti dhe futbollisti 21 vjeçar, Keith Owen Groeneveld nga Afrika e Jugut.
Duke ditur saktësisht se si lidhjen e saj do ta perceptonte publiku, ajo tha se paragjykimi dhe kritikat që do të vijnë për lidhjen e saj, nuk është se i bëjnë përshtypje sepse “njerëzit gjithsesi do të paragjykojnë”.
E jashtëligjshme dhe e dashuruar
2020-ta ishe viti kur këngëtarja Fjolla Morina përjetoi emocione ekstreme – ndjenjën e dashurisë së zjarrtë dhe ftohtësinë e prangave në kyçet e duarve.
Me 19 shtator, një udhëtim drejt Shqipërisë nuk shkoi ashtu si këngëtarja e kishte parashikuar. Ajo u arrestua në pikën e kalimit kufitar në Morinë, ndërsa po tentonte të hynte në territorin e Shqipërisë me dy armë zjarri me vete.
Gjykimi i saj vazhdoi gjatë ditëve në vazhdim. Marrë parasysh rrethanat e këngëtares, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Kukës, i caktoi asaj masën e arrestit shtëpiak.
Mirëpo dëshmia e saj para organeve gjykuese, nxori në dritë një tjetër fakt për këngëtaren. Dy nga burrat që po shoqëronin atë gjatë udhëtimit, ishte edhe i dashuri i saj, Fisnik Syla.
Një muaj më vonë, ajo mori edhe propozim martese nga Syla dhe së shpejti mund të kemi dasmë. /Insajderi.com