Rita Ora është e lumtur që ka një rol në filmin e ri “Twist”, meqenëse sipas saj, ajo ka qenë gjithnjë një fanse e madhe e shkrimtarit britanik, Charles Dickens.
Ajo luan Dodge – një mishërim femër i Artful Dodger – në rikrijimin e ‘Oliver Twist’, njofton Insajderi.
Duke folur për Capital Radio, Rita tha: “Jam një adhuruese e madhe Charles Dickens”.
“Në të vërtetë më pëlqen të lexoj, e di që njerëzit nuk e dinë këtë për mua, por jam shumë e dhënë pas librave”.
Këngëtarja e ‘Anywhere’ luan së bashku me Sir Michael Caine, i cili luan Fagin në filmin e Martin Owen, dhe shpjegoi se si ajo vlerësoi mënyrën se si funksionon legjenda e aktrimit.
“Ai ka një mënyrë të caktuar të punës. Mendoj se gjithnjë e ka pasur dhe unë vetëm u përshtata”.
“Është kështu kur punon me një Sir*. Duhet të punosh si punojnë ata”.
Më parë, këngëtarja kishte theksuar se ajo ndihej e fuqizuar për faktin se po portretizon një rol mashkullor në një film. /Insajderi.com
* Titulli i “Zotërisë” (Sir) i jepet cilitdo që i jepet kalorësia nga Mbretëresha ose një anëtar i familjes mbretërore që vepron në vend të saj. Kalorësia mund të jepet për shërbimin ushtarak ose për këdo që konsiderohet një kontribuues i rëndësishëm në jetën kombëtare.