Filmi shqiptar “Zgjoi” bëri një bujë të madhe si filmi i parë i kinematografisë vendore që fitoi gjithsej tri çmime të rëndësishme në “Sundance Film Festival”.
Skenari i këtij filmi është bazuar në një ngjarje të vërtetë të pas-luftës në Kosovë, i cili ka fituar zemrën e publikut ndërkombëtar dhe ka marrë vlerësime të larta për temën që trajton.
Regjisorja e këtij filmi, Blerta Basholli, njëherësh Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, së fundmi u dekorua nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, me “Medaljen Presidenciale të Meritave”.
Kjo u bë e ditur nga ana e regjisores përmes disa fotografive të publikuara në rrjetin social Facebook, ku ka shfaqur edhe mirënjohjen e pranuar nga u.d. Presidentja.
“Këtë medalje të meritave ia dedikojmë zonjës Fahrije Hoti, e cila është edhe symbol i të gjitha grave të Kosovës, të cilat përkundër humbjeve që pësuan nga lufta e fundit në Kosovë, përkundër paragjykimeve e pengesave serioze nga shoqëria, përkundër mbështetjes aspak të mjaftueshme nga shteti, ato me kokën lartë vazhduan, punuan, edukuan fëmijë dhe patën sukses në çdo aspekt. Na dhanë shembull model se si duhet të vazhdojmë të punojmë edhe ne të tjerët, qofshim gra apo burra”, ka shkruar Basholli.
Filmi ‘Zgjoi’ shënon një prej sukseseve historike dhe është dëshmi e fuqishme që prezanton në arenën ndërkombëtare një të vërtetë nëpër të cilën ka kaluar populli i Kosovës./Insajderi.com
MEDALJE PRESIDENCIALE E MERITAVE
Për kontributin e dhënë në fushën e kulturësNderin që na e ka bërë Presidentja Osmani…
Posted by Blerta Basholli on Friday, February 19, 2021