Periudha e luftës në Kosovë: Arjan Konomi rrëfen si i doli në ndihmë Albin Kurti

Periudha e luftës në Kosovë: Arjan Konomi rrëfen si i doli në ndihmë Albin Kurti

Të gjithë e njohim si një opinionist të shquar së pari herë në Big Brother dhe tani në Për’puthen, por ndoshta pak e dinë karrierën gazetareske të Arjan Konomit.

Ai ishte gazetar për një media italiane dhe në vitin 1998 udhëtoi drejt Kosovës, asokohe kontrollohej nga milicia serbe, për të raportuar për ngjarjet në vend, njofton Insajderi.

Së fundmi i ftuar në emision “Kojshia Show”, ai rrëfeu shumë nga kjo periudhë e jetës së tij duke përmenduar edhe Albin Kurtin me Bujar Dugollin.

Në një moment kur Konomi po udhëtonte në Kosovë, kujton se si mbeti i rrezikuar nga banda e Arkanit në stacionin e autobusëve teksa destinacionin kishte tek Grand Hotel.

“Kam shkuar në Kosovë shumë herët, madje kam rrezikuar edhe jetën disa herë. Albin Kurtin dhe Bujar Dugollin i kam njohur që atëherë kur ishin student, ata studentë me shpresa të mëdha, në krye të protestave. Në një moment mbeta keq në stacionin e autobusëve, kur doja të shkoja tek Hotel Grandi dhe aty pranë ishte banda e Arkanit”, shprehet ai.

Ndërkohë, ai nuk kishte asnjë mënyrë për të kontaktuar më Albin Kurtin, por ishte Fadil Ismajli, sot një mik shumë i mirë i tij, që e ndihmoi të tejkalonte rrezikun.

“Ishte milicia serbe dhe unë nuk po arrija të kontaktoja me Albinin se kisha ardhur, nuk kishim ende celular në atë kohë, as e-mail. Kisha vetëm një mënyrë për ta kontaktuar Albinin që ma kishte dhënë një italiane, ndërlidhësja jonë. Më ka shpëtuar dikush, që sot është një mik i imi, Fadil Ismajli. Po ta zbulonte milicia se kisha pasaportë të Shqipërisë, jeta ime ishte në rrezik. Mund të më vrisnin serbët”.

Tutje rrëfen se bëri kontakt me Kurtin, i cili i kujdes që Konomi të strehohej në një familje në Kodrën e Trimave, dhe pre aty ka lëvizur në qytetet e ndryshme të Kosovës.

“Pastaj Albini më strehoi te një familje te Kodra e Trimave, që jam munduar ta kujtoj emrin, por nuk mundem. Që atje pastaj kam lëvizur për në Prizren, Gjakovë e Pejë dhe në vendin ku kam kaluar aventurën më të bukur, Drenicë. Për aq sa mund të quhet e bukur sot”.

Në fund, Konomi jep mesazhin që këtë histori nuk duhet ta harrojmë asnjë dhe as gjeneratat e reja që do të vinë. /Insajderi.com