Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare kompozitori i njohur Agim Krajka, njofton Insajderi.
Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Ulis Krajka, përmes një postimi në rrjete sociale.
“Shpirti yt pushoftë në paqe babai ynë i dashur”, shkruan ai.
E para që reagoi pas këtij lajmi kaq të trishtë ishte Irma Libohova. Ajo ka publikuar në Instagram një foto ku shfaqet përkrah të ndjerit Agim Krajka dhe ka shkruar:
“Nuk jeton më! Ka lënë pas nje vepër kryevepër në cilësi e sasi. Instrumentist kompozitor orkestrues dirigjent, ky artist intuitiv i formuar në gjithë kuptimin e fjalës, ky burrë Dibre nuk e mposhti dot vromën e shekullit. Është një dhembje e fortë për mua e mes lotësh po e postoj këtë status në këtë orë të vonë.U presh në paqe Gimçe!!”.
View this post on Instagram
Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij luante në disa instrumente muzikore, si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë i ati.
Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime.
Agim Krajka ka shkruar një cikël me përpunime këngësh popullore për kanto e piano, uverturë rinore, romancë për violinë e orkestër simfonike , suitë me valle popullore për orkestër simfonike etj.
Muzikën e filmave “Çifti i lumtur”, Zonja nga qyteti”, “Zonja nga fshati”, Njësiti Gueril” etj.
Muzikë skenike të baletit me një akt “Duarartët vigjëlentë” ekzekutuar nga TKOB në vitin 1981.
Përveç këtyre punimeve të mësipërme ka lëvruar mjaft motive vallesh të cilat janë nderuar edhe me çmime të para si: vallja e Librazhdit, vallja e Tiranës, vallja çame etj.
Për aktivitetin dhe kontributin e tij artistik është vlerësuar me çmime, urdhra e medalje dhe mban titullin “Mjeshtër i Madh”. /Insajderi.com