Haradinaj ia kërkon dorëheqjen Kurtit

Haradinaj ia kërkon dorëheqjen Kurtit

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

Ai në një konferencë të jashtëzakonshme për media të dielën, ka shprehur shqetësim për menaxhimin e situatës me pandeminë, derisa i ka kërkuar qeverisë që ta trajtojë me seriozitet këtë çështje dhe të fokusohet në procesin e vaksinimit.

Haradinaj po ashtu ka kritikuar kandidimin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për kryetar të komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

“I dëgjojmë plotë që kërkojnë dorëheqjen ministrit Vitia. Mendoj që po është legjitime kërkesa, por faji nuk është te Vitia. Faji është te shefi i tij, i cili në kohë të rritjes së rrezikut për shëndetin e popullit, e vlerëson të arsyeshme me kandidu ministrin e Shëndetësisë për kryetar komune”, ka thënë i pari i AAK-së para gazetarëve.

“Në këtë rast besoj që kërkesa legjitime për dorëheqje i drejtohet Kurtit dhe apeloj te ai që nëse ky është kualiteti se si do të përballet ai me sfidat që i ka Kosova, në këtë rast me pandeminë, atëherë më mirë është me dhënë dorëheqje sot, mos e mbajt peng popullin dhe mos me i vonu veprimet e duhura rreth pandemisë”.

Sipas tij, mungesa e seriozitetit në menaxhimin e pandemisë ka sjellë në situatën kur Kosova qëndron më së keqi në rajon në këtë aspekt./Insajderi.com