Nagavci: Jemi gati për vitin e ri shkollor, kërcënimet e SBAShK-ut nuk mund të vazhdojnë më

Nagavci: Jemi gati për vitin e ri shkollor, kërcënimet e SBAShK-ut nuk mund të vazhdojnë më

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se paralajmërimet e SBAShK-ut për ndërprerje të procesit mësimor kundrejt rritjes në paga nuk kanë arsyetim.

Nagavci ka shtuar se MASHT-i në koordinim me komunat i kanë bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Ky cikël i përsëritshëm i kërcënimeve nuk mund të vazhdoj më. SBAShK gëzon të drejtë të garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenoj të drejtën kushtetuese të nxënësve për shkollim. Nuk ndërpritet procesi mësimor sa herë që dikush dëshiron”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Greva nga SBASHK-u

Greva nga SBASHK-u

Tutje, ka shkruar se paga dhe kushtet e dinjitetshme për mësimdhënësit do të jetësohet me Ligjin e ri për paga.

Gjithashtu, ka shkruar se kanë vullnet të njëjtë me komuna për vitin e ri shkollor.

“Ne jemi të përkushtuar dhe me plot vullnet për fillimin e vitit të ri mësimor. Të njëjtin vullnet e sheh kudo në të gjitha shkollat në vend. Falënderuese e mirënjohëse ndaj të gjithë mësimdhënësve që punojnë pa u lodhur për zhvillimin e gjeneratave të reja, për përkushtimin në klasë, përkushtimin për nxënës, pasionin për mësimdhënie”.

Në anën tjetër, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shpallur grevë të përgjithshme për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se në këtë grevë do të jenë të përfshirë dhe administrata e arsimit dhe sektorët tjerë në kuadër të saj.

Sipas tij, Qeveria i ka dyert e hapura për arritjen e një marrëveshje./Insajderi.com