Escobar: Mospajtimet për veriun duhet të zgjidhen përmes diplomacisë

Escobar: Mospajtimet për veriun duhet të zgjidhen përmes diplomacisë

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Ai është shprehur se mospajtimet në veri të vendit duhet të zgjidhen përmes diplomacisë.

“Ajo që po ndodh në veriun e Kosovës në të vërtetë është çështje midis Kosovës dhe Serbisë, prandaj është urgjente që të dy liderët e dy shteteve të takohen në Bruksel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të tejkalojnë mospajtimet sa i përket veriut”, tha ai.

Më 31 korrik, serbët në veri të vendit ngritën barrikada, duke kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës kishte paraparë që nga 1 gushti të zbatonte lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në territorin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka shtyrë vendimin për zbatimin e masave të reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet me kërkesën e partnerëve ndërkombëtar.

Kjo kërkesë u aprovua me kushtin që të largohen të gjitha barrikadat e vendosura në veri të vendit nga serbët të cilat i kishin vendosur si shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë.

Gjatë ditës së djeshme në një përgjigje për Shqip.com, Peter Stano ka konfirmuar që me 18 gusht do të mbahet takimi i radhës midis Kosovës dhe Serbisë./Insajderi.com