Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik Fero, është deklaruar fajtor për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Armend Hamiti, i akuzuari Shabani e pranoi fajësinë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Fero në një intervistë për Prive, ka folur gjerë e gjatë për procesin gjyqësor duke u shprehur i penduar.
Ai tutje ka thënë se ky tashmë është një kapitull që është mbyllur, meqë ka ndodhur në vitin 2018 kur ishte edhe shumë i ri.
“Përshtypja ime, është tamam një vend që është dashur të jetë. Unë si çdo i ri, ky është një kapitull në vitin 2018, do të thotë i lus të rinjtë që mbajnë sende të jo të ligjshme, që të mos mbajnë gjëra të tilla me vete, të fokusohen më shumë te familja, t’i duan njerëzit që t’i lënë problemet”, ka thënë ai.
“Unë jam në rregull me të gjithë, unë vetëm kam dëshirë të punojë për fansat e mi, të bëj muzikë të mirë nuk kam dëshirë të merrem më me këto gjëra, kjo që kam ardhur këtu është e vitit 2018, ky kapitull është mbyllur në atë vit”, ka thënë Fero.
Gjatë kësaj seancë të pafajshëm u deklaruan i akuzuari Avdullah Islami për veprën penale të kanosjes me përdorim të mjetit të rrezikshëm, si dhe i akuzuari Mehmet Elshani për veprën penale të sulmit./Insajderi.com