Adelina Ismaili dëshmon sot në gjykimin e Enver Sekiraqës

Adelina Ismaili dëshmon sot në gjykimin e Enver Sekiraqës

Këngëtarja e njohur, Adelina Ismaili, pritet të dëshmojë në seancën e së enjtes në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës, transmeton Insajderi.com.

Gjatë seancës së fundit të mbajtur më 8 shtator, gjykatësi Agim Kuqi në cilësinë e kryetarit të trupit gjykues, njoftoi se në seancën e radhës do të dëgjohen dëshmitaret Adelina, Ema dhe Zanfina Ismaili si dhe Kaltrina Berisha.

Ndryshe, në gjykimin e kaluar të mbajtur me 23 janar 2019, ishte paraparë të jap dëshminë e njëjta dëshmitare, mirëpo për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë adresën e saj, dëshmia e saj e dhënë në gjykimin pranë gjyqtarëve të EULEX-it ishte lexuar, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe me 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në në këtë lokal, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet. /Insajderi.com