
Të premten e kaluar, një shtetas i Belgjikës fitoi çmimin e madh të lotarisë 153.873.716 euro, në lotarinë EuroMillions. Ai është i vetmi lojtar qe ka qëlluar plot 5 numra të saktë (8-10-24-33-42) dhe dy prej yjeve saktë (3-9), për ta fituar çmimin e madh.
Me gati 154 milion euro të fituara, ai kështu u bë fituesi i dytë më i madh të regjistruar ndonjëherë në Belgjikë dhe gjithashtu fitimi i tetë më i madh në historinë e EuroMillions.
Që nga e marta e javës së ardhshme çmimi do të bjerë në 17 milionë euro.
Por, tani Lotaria Kombëtare e Belgjikës ka ndryshuar rregullat në raste të fitimeve të milionave. Deri më tani, fituesi nuk është bërë i njohur. Asnjë informacion nuk është dhënë për fituesin e ri për shkak të ngjarjes së fundit, kur një burrë nga Kosova që fitoi shumën prej 168 milionë eurove.
Kosovari, që fitoi çmimin prej 168 milionë eurove, ishte ngacmuar aq shumë sa që është detyruar të largohet fare nga Belgjika, njofton mediumi belg La Derniere Heure.
Kjo ishte si rezultat se Lotaria Kombëtare kishte zbuluar shumë shpejt emrin dhe adresën e librarisë se ku bileta fituese ishte blerë. Duke e dhënë këtë informacion, fituesi, një burrë me origjinë nga Kosova, nuk ishte më anonim.
Kolegët e tij shpejt vunë re mungesën e tij nga puna. Fituesi 50 vjeçar, një baba i martuar i katër fëmijëve, kishte ikur për të mbrojtur privatësinë e tij.
Gjatë kësaj kohe, fituesi ishte kthyer disa herë për vizitë në Belgjikë. Ai ishte parë disa herë tek FC Kosova, klubi lokal i futbollit të Schaerbeek.
Rekordi më i madh i regjistruar në EuroMillions ishte 190 milion euro, të fituara dy hera në vitin 2012 dhe 2014, nga një anglez dhe portugez. /Insajderi.com