Buja nis të shoqërohet me kolegët e Nismës

Buja nis të shoqërohet me kolegët e Nismës

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shukri Buja i cili tashmë ka kaluar tek partia Nisma për Kosovën, e cila është partner i koalicionit PDK-AAK-Nisma, është parë duke u shoqëruar me kolegët e tij të rinj.

Në një foto të siguruar nga Gazeta Online Insajderi, ai është parë në shoqërinë e Haxhi Shalës, deputet i Nisma për Kosovën.

Buja ka dhënë dorëheqje kohë më parë nga posti i kryetarit të degës së PDK-së në Lipjan, si dhe nga kryesia e PDK-së, duke thënë se nuk do të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të Komunës së Lipjanit.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shukri Buja, është i akuzuar nga Prokuroria Speciale për favorizim të një biznesmeni gjatë kohës sa ka qenë kryetar i Lipjanit.

Insajderi ka raportuar në fillim të këtij viti rreth një trualli në Komunën e Lipjanit, e cila paraprakisht ishte destinuar si industriale, para se të ndërrohej plani urbanistik nga Komuna, për t’ia mundësuar një biznesmeni, Fahri Retkocerit,  të ndërtojë një objekt në atë lokacion. /Insajderi.com