A po e shkatërron Youtube industrinë muzikore?

A po e shkatërron Youtube industrinë muzikore?

Nëse Youtube po konsiderohet se mjet i mirë promovimi për këngëtarët e rinj, në anën tjetër ai po konsiderohet si një varr për artistët e mirëfilltë dhe doajenët e këngës.

Media e fuqishme ‘The Guardian’ para pak kohësh ka bërë nëj hulumtim ku thotë se “artistët, studiot incizuese, producentët muzikorë dhe menaxherët, po përpiqen që të gjejnë kanale lobimi në Kongresin e SHBA-së dhe në Bashkimin Evropian, për atë se Youtube iu duket si gjëja më e keqe e biznesit muzikor pas Napsterit”.

Megjithëse, në botë çdo artist ka kanalin e vet në Youtube dhe ka pakënaqësi me përfitimet dhe mënyrën e plasimit të krijimtarisë tek audienca, në Kosovë kjo gjë vështirësohet edhe më shumë, duke e sjellë krijuesin e mirëfilltë pranë formave më të paparanueshme të biznesit muzikor.

Popujve të vegjël Youtube nuk iu ofron mënyra transmetimi në gjuhën e tyre, prandaj te shqiptarët problemi bëhet edhe më i madh. Tashmë Youtube nuk “i paguan” këngëtarët se cili është më i mirë ose anasjelltas. Te Youtube të gjithë këngëtarët janë të barabartë. Është njëjtë, si një këngëtar që dëshiron të promovohet, si një tjetër që dikur ka mbushur koncerte me mijëra ndjekës.

Youtube nuk ka kriter që e mat kualitetin e këngës. Megjithëse ka pasur shpesh konflikte, e vetmja gjë që ka arritur Youtube ta bëjë deri diku, është mbrojtja nga plagjiatura. Por, kjo mbetet vetëm këtu.
Me pak para, një këngëtar debutues mund ta bëjë këngën e vet të njohur, pavarësisht se ajo mund të mos ketë asnjë vlerë.

Ndërsa, në anën tjetër këngëtarë të njohur si Sabri Fejzullahu, megjithëse gjithë karrierën e tij prej gjysmë shekulli e ka krijuar me vlera, në kohën e Youtube-s i duhet që të “luftojë” në kohën kur nuk ka rregulla.

Sabriu në një intervistë deklaroi se “Nganjëherë rrëshqas edhe unë, për të qenë i dëgjuar, për të qenë afër atyre që nuk guxoj dhe kurrë në jetë nuk do të leçitem. Unë këndoj edhe kështu, edhe ashtu”.
Por, Fejzullahu shpesh flet me nostalgji për kohën e dikurshme, kur një këngëtar ka dalë në skenë, është dashur të kalojë nëpër shumë filtra.

Gjatë kohës së produksionit muzikor kur ekzistonte vetëm Radio Televizioni i Prishtinës, kishte kritere shumë të ashpra vlerësimi. Pas mbylljes së dhunshme të RTP-së nga Serbia, krijimtaria muzikore ka vazhduar me vështirësi, duke u hapur produksione private, por të cilat në të shumtën e rasteve i përcillnin vlerat. Një barometër ishte Radio Televizioni Shqiptar në Tiranë, i cili ua hapi dyert këngëtarëve kosovarë.

Gjatë kësaj kohe, krijimet muzikore (të quajtura albume) filluan të sjellin të ardhura të konsiderueshme. Në Kosovë u krijuan disa shtëpi muzikore, duke u nisur nga “Labia” e Shkumbin Kryeziut, e më pas edhe të tjera, të cilat deri diku mbanin në nivel të parë artin.

Sot, në kohën e Youtube-s kanë rënë të gjithë kriteret përtokë.

“Tash asgjë nuk është siç ka qenë. As kualiteti e as të ardhurat. Kjo sepse disa kompani që nuk dijnë se çka është muzika, por do matrapazë që janë nënkontraktues të Youtube-s, po i shantazhojnë këngëtarët me klikime.

Aty nuk ka as vlerë e as euro. Euro ka veç për këta matrapazë” – deklaroi në kushtet anonimiteti një prej këngëtareve që filloi karrierën në vitet e ’90-ta.

“Këngëtarët mundësinë e vetme të përfitimeve sot e kanë dasmën. As koncerte nuk ka më, sepse organet që do të duhet të kujdeseshin për vlerat kulturore nuk mërziten për ne” – vazhdoi ai.

Pas kërkesës sonë që të japin mendim në këtë çështje, shumë nga këngëtarët hezituan, duke u frikësuar se atyre mund t’ju ndërpriten edhe ato pak të ardhura që i sigurojnë nga këta biznesmenë.

Kështu u janë ndalur / hequr videoklipet shumë këngëtarëve nga Youtube. Pas një hulumtimi të vogël që e kemi bërë, njëfarë kompanie e quajtur Acromax po i bën manipulimet si nënkontraktues i Youtube-s.
Besfort Hasanaj i njohur si Çibis, ishte ndër të parë që filloi publikimet e veta në Youtube. Mirëpo, me ndërhyrjen e Acromax-it (Arkiva Shqip), atij iu mbyllën kanalet ne Youtube. Ky është një manipulim shumë i madh që bëhet në dëm të krijuesve.

Me sa kemi arritur të kuptojmë një grup prej 20 këngëtarësh kosovarë tashmë ka nisur një organizim të kundërshtimit ndaj Acromax-it. Ata kanë shqyrtuar mundësitë jurdike sesi të arrijnë ta bindin Youtube-n se Acromax është një mashtrues ordiner. Pronari i saj është një shqiptar nga Shqipëria, i cili së shpejti pritet të paditet.

Megjithatë, thotë bashkëbiseduesi ynë “Kush do t’i kompensojë të gjitha këto vite që kemi punuar me humbje?”. Një mënyrë është që institucionet e Kosovës ta padisin Acromax-in dhe më pas ato t’i dëmshpërblejnë krijuesit.

Për shembull këngëtarja Linda Hakaj, megjithëse ka mbaruar shkollën për këngëtare, dhe nga kritika ëshët vlerësuar lart, ajo nga këngëtar e saj në Youtube ka arritur të mbledhë shumë dyshifrore përfitimesh, gjë që është qesharake.

Përfundimisht, komuniteti muzikor në Kosovë, ashtu si në gjithë botën është në shqyrtim të mundësive të reja të drejtimit nga audienca. Youtube kosovarëve po ua bën me hile, se përveç nënkontraktuesve që fitojnë në kurriz të këngëtarëve, klikimet ua llogarit shumë më pak për shkak të reklamave të vogla që ka në Kosovë.

Sytë e këngëtarëve tashmë po kërkojnë forma të tjera. Duke marrë parasysh që format e vjetra të plasimit të këngëve tashmë nuk ka (kaseta e CD), kurse Youtube nuk ua plotëson kërkesat, atëherë një zgjedhje e tretë po provohet të gjendet. Shteti duhet të mendojë për këtë. Edhe ai nuk përfiton asgjë nga Youtube, sepse institucionet kosovare nuk marrin ende raporte fianciare për përfitimet e këngëtarëve nga Youtube.

Shembull i mirë është menaxheri Faton Shoshi, i cili ka lidhur kontratë me SONY-n dhe Era Istrefin. Shembuj të tjerë të mirë janë edhe platforma e telefonave të mençur që e kanë “Vala” dhe “Ipko”, të cilat ofrojnë këngë me çmime minimale për secilin përdorues.

Shteti duhet t’i përkrahë këngëtarët në mënyrë që të kërkojë llogari nga ta!//Telenews.al