Mensur Safqiu, në kastën e filmit me aktorë Hollivudian

Mensur Safqiu, në kastën e filmit me aktorë Hollivudian

Sot, në ambietin e kinemasë së qytetit Cineplex, u mbajt një konferencë për media, lidhur me filmin “The Brave”, ku të pranishëm ishin aktori Mensur Safqiu dhe producenti Mark Crawford.

Filmi, që në fillim mendohej të quhej “Llazarat Burning”, trajton historinë e një fshati shqiptarë, është bazuar në ngjarjet e ndodhura në Llazarat, por vetëm përciptazi, sepse në thelb është film fiktiv.

Pjesë e filmit janë aktorët hollivudian Armand Assante (“Gotti”) e Louis Mandylor  (“Martesa ime Greke”), aktorët rusë Ravshana Kurkova, Yuriu Kutsenko dhe Ivan Makarevich dhe aktorët shqipëtarë Bes Kallaku, Vin Bejleri dhe Mensur Safqiu.

Mensur Safqiu tha se i gjithë procesi i filmit ishte  një kënaqësi e veçantë, në set egzistonte një atmosferë familjare dhe një energji jashtëzakonisht e mirë.

I pyetur nga lidhur me rolin dhe marrëdhien e tij me personazhin, Mensuri tha se kishte qenë një proces i punës i kënaqshëm, edhepse roli nuk ishte shumë i ndërlikuar, mirëpo sfida e vërtetë kishte qenë, që në njetën kohë ishte marrë dhe me 3 role të tjera.

“Ka qenë e vështirë, sepse kam xhiruar paralelisht edhe 3 filma të tjerë, ku secili personazh ka biografinë e historinë e tij, sa në një pikë, kur i përfundova, i thash gruas se nuk jam i sigurtë më cili jam unë” tha ai, për Insajderin.

Ai tregoi që është në pritje të filmit të tij të radhës,” Besa” që shumë shpejt do ta ketë premierën.

Mark, njëri nga tre producentët e këtij filmi, tregoi se me profesion është bankier dhe se ky është filmi i tij i parë. Ai tha, se edhepse tema e filmit është bazuar në një fshat shqiptar, është trajtuar në një mënyrë që e bën subjekt universal. Në thelb është lufta e së mirës ndaj të keqes, dhe ndoshta për herë të parë në një film të huaj, shqiptarët nuk janë portretizuar si kapo bandash, kriminelë të pashpirt apo pronar prostitutash.

Mensuri tha se ishte kënaqësi e vecantë, që aktorët kosovarë, shumë prej të cilëve u është mohuar shkollimi në fakultete, dhe u është dashur të mësojnë në bodrume gjatë viteve të paraluftës, t’i shohësh të aktrojnë në krahas kolegëve të tyre ndërkombëtarë, në nivel të kënaqshëm.

Projekti në fjalë, pritet të korrë suksese të mëdha dhe mund të shërbej si thirrje për produksione të tjera ndërkombëtare të investojnë në bashkëpunime me filma shqip.