Mbledhjen e sotme, qeveria e shfrytëzoi për ta rritur taksën produkteve të Serbisë dhe Bosnjës. Nga 10 sa ishte me vendimin e kaluara, taksa u rrit në 100%, për produktet që hyjnë në Kosovë nga këto dy shtete.
Menjëherë pas mbledhjes, kryeministri Haradinaj tha se një vendim i tillë ka qenë i domosdoshëm.
“Tani ne kemi bërë një analizë të respektimit të marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia, dhe aty shihet që Serbia i ka vendosur vazhdimisht Kosovës një taksë jo-tarifore. Jo e njëjtë me këtë taksën e produkteve që i kemi vendosur ne. Serbia e ka penguar transportin e mallrave dhe kështu nuk e ka respektuar marrëveshjen e CEFTA-s”, ka thënë Haradinaj.
Por shefi i ekzekutivit tha se për këtë vendim nuk është konsultuar me Thaçin. Theksoi se një gjë të tillë e ka bërë me Limajn e Veselin.
“Nuk kam mbërri me bisedu me presidentin pasi është jashtë shtetit, por kam folur me Veselin e Limajn”, deklaroi Haradinaj.
Me përfundimin e mbledhjes, nisën reagimet. Edhe në Kosovë, por edhe në Serbi e Bosnjë.
Pozitë e opozitë në Kosovë dolën pro këtij vendimi, veç Vetëvendosjes e cila deri më tani ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim.
Kjo përkundër se Insajderi përgjatë gjithë ditës ka tentuar të marrë një përgjigje nga deputetët e kësaj partie.
Deputeti i Alternativës, Ilir Deda doli pro këtij vendimi duke e cilësuar si shumë të nevojshëm.
“Vendimi i Qeverisë për rritjen e taksës nga 10% në 100% është i qëlluar. Kjo masë duhet të mbetet në fuqi deri kur Serbia t’i kthehet ‘normalizimit të marrëdhënieve’”, shkroi Ilir Deda në facebook.
Pro vendimit të qeverisë doli edhe Partia Socialdemokrate. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Dardan Sejdiu tha se kjo është mënyra më e mirë se si duhet t’i përgjigjet Kosova shtetit serb.
“Ndonëse i vonuar, ky vendim duhet të shoqërohet edhe me masa të tjera, drejt ndërtimit të reciprocitetit të plotë në marrëdheniet tona të jashtme. Kosova duhet të sillet si shtet dhe në mënyrë të barabartë me të tjerët, përfshirë edhe Serbinë”, tha Haradinaj.
Reagimin më interesant nga Kosova e kishte ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Me ironizimin e tij të zakonshëm “Më vie keq”, Lekaj iu përgjigj Daçiqit që tha se dialogu nuk do të vazhdojë derisa taksa të hiqet.
Por në mënyrë krejt tjetër ky vendim u prit nga Serbia e Bosnja, vende ndaj të cilave Kosova e ka vendosur këtë taksë.
Ministri i Tregtisë në Serbi, Rasim Lajiq fillimisht tha se kjo është ndalesë për të bërë tregti.
“Më mirë të kishin thënë se është e ndaluar tregtia me Serbinë, sesa që po përpiqen kështu të bëjnë. Gjërat duhet thirrur me emra të duhura, ky është pengim dhe ndalim i tregtisë në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thekson Ljajiq.
Reagim të ashpër njëjtë pati edhe homologu i Lajiqit nga Bosnja, Mirko Saroviq. Ai vlerësoi se ky vendim është goditja më e madhe për CEFTA-n ndonjëherë.
“Nëse njëmend Kosova ka vendosur këto masa. Atëherë kjo është goditja më e madhe që i është bërë CEFTA-s ndonjëherë”, ka thënë ai.
Pasi mblodhi Këshillin e Sigurisë, dhe zhvilloi disa takime me ambasadorë, reagim të ashpër pati edhe Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë numëroi katër arsyet, që sipas tij e kanë shtyrë Kosovën ta rrisë taksën.
“Prishtina ka katër objektiva që të realizojë, duke rritur taksën për mallra. I pari është që të bëjë presion për njohjen e pavarësisë nga Beogradi. Qëllimi i dytë është dëbimi i serbëve nga Kosova në jug dhe veri të vendit. Gjëja e tretë është që të bëjnë presion te institucionet ndërkombëtare, dhe të bëjnë lëshime për liberalizimin e vizave, duke treguar se janë gati edhe për destabilizim. Së katërti është se ne frikësohemi nga ndonjë konflikt apo destabilizim i mudnshëm për hir të interesave të dikujt”, deklaroi Vuçiq.
Reagimet e institucioneve ndërkombëtare:
Më të butë ndaj Kosovës, nuk kanë qenë fare as institucionet ndërkombëtare.
Në një njoftim për media, Mogherini ka thënë se vendimi i Kosovës shkelë marëveshjen e CEFTA-s por edhe MSA-në.
“Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës për ta rritur taksën mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja në 100%, është shkelje e qartë e Marrvëveshjes së Tregtisë së Lirë CEFTA, dhe frymës së MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Më tej ky vendim përkeqëson situatën pas taksës së parë prej 10% javën e kaluara. Qeveria e Kosovës duhet ta revokojë menjëherë këtë vendim”, thuhet në njoftimin për media të zyrës së Moghernit.
Ai kërkoi nga dy shtetet që të mos ndërmarrin veprime, që mund të ndikojnë në prishjen e stabilitetit.
“Shprehim shqetësimin lidhur me ndikimin e mundshëm mbi popullin e Kosovës, dhe me implikimet e mundshme politike në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës nga ky vendim. U bëjmë thirrje liderëve që të marrin në konsideratë interesat e njerëzve dhe ta ruajnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga UNMIK-u.
Pavarëisht kërkesave për ta tërhqeur këtë vendi, qeveria duket e vendosur që të mos lëshojë pe.
Kryeministri Haradinaj gjatë ditës deklaroi se reagimet janë të kuptueshme, por që Kosova duhet ta mbrojë vetën përballë Serbisë.
Duke nënkuptuar se ky vendim të paktën për momentin, nuk do të tërhiqet. /Insajderi.com