Vetëvendosje nuk merr përgjegjësi për çantat me molotov

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me çantat e gjetura tek objekti i cili është në shfrytëzim nga kjo parti opozitare, duke thënë se bastisja aty është bërë në mënyrë të jashtëligjshme nga ana e Policisë së Kosovës.

Vetëvendosje nuk merr përgjegjësi për çantat me molotov

“Policia e Kosovës të mërkurën në mbrëmje ka rrethuar disa hapësira që janë në shfrytëzim nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe ka bastisur ato, pa praninë apo njoftimin e asnjë zyrtari të Lëvizjes – gjë që është obligim ligjor në rastet kur bëhen bastisje” ka deklaruar Vetëvendosje.

Për me tepër nga Vetëvendosje, është thënë që nuk marrin përgjegjësi për gjërat që janë gjetur aty, njëkohësisht kanë krahasuar këtë bastisje me arrestimin e gjashtë aktivistëve të VV-së, duke e quajtur inskenim.

“Lokalet që janë në shfrytëzim nga ne, janë okupuar pra nga forcat paramilitare dhe ne nuk marrim përgjegjësi për asgjë që këto forca kanë bërë në mënyrë të jashtëligjshme aty”.

“Sikur në rastin e arrestimit e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s për terrorizëm, që në fund doli të jetë inskenim dhe montim nga po ky grup paramilitar i kapur nga klani pronto, edhe gjësendet e gjetura në objektet tona janë në linjën e njëjtë të logjikës inskenuese”ka përfunduar deklarata e Levizjes Vetevendosje.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, policia ka shpalosur detaje dhe gjësendet e gjetura në depon të cilën Lëvizja Vetëvendosje ka pranuar se ishte në shfrytëzim të tyre. /Insajderi.com