“Dua të flas për një çështje që po vazhdon të ziej edhe pse ne e kemi hequr ujin nga zjarri”.
Kështu e ka nisur emisionin e sotëm drejtuesi i “Xing me Ermalin”, Ermal Mamaqi.
Duke marrë shkas nga puntata që prodhoi jo pak polemika, ku e dashura e bloggerit Nas Daily, Alyne shpërtheu në lot në emision, kundërpërgjigjet virtuale mes tyre nuk kanë të ndalur.
Vetëm pak ditë më parë e dashura e Nas realizoi një video duke e treguar momentin se si ajo reagoi kur në emision, të dashurit të saj iu bë pyetja nëse ai udhëton që të takojë vajza të tjera dhe thotë se shakatë me seksizmin dhe femrat si objekte nuk janë në rregull dhe nuk tolerohen.
Por sot përmes emisionit të tij, moderatori thotë se Alyne përdori situatën dhe atë si imazh seksizmi. Ai shton se nuk ka për qëllim të ofendojë njerëzit, por t’i bëjë ata të qeshin.
Reagimi i plotë i Ermal Mamaqit në video:
Përshëndetje, unë jam Ermal Mamaqi. Jam nga Shqipëria. Jam komedian dhe drejtoj programin tim televiziv “Xing me Ermalin” i cili është Late Night Show. Para disa javësh ftova një blogger, Nas Daily. Për më tepër duke qenë se jam një person i dashur, për dashamirësi ftova edhe të dashurën e tij. Po diçka e tmerrshme ndodhi. Ne bëmë një pyetje si ajo që bëjmë në çdo episod. Dua të theksoj që ia kishim shpjeguar të ftuarit më përpara. Kejvina, vajza e emisionit hyri dhe bëri pyetjen: Po gjithë këto udhëtime i bën për të takuar goca?
Dhe çfarë ndodhi? Nasi qeshi, publiku qeshi, por dikush nuk qeshi.
Në fillim isha konfuz sepse nuk e dija nëse ajo po qante, po qeshte apo po shtirej. Isha i shokuar sepse ishte hera e parë që diçka e tillë ndodhte dhe nuk dija si të reagoja, por i shpjegova se ishte një shaka dhe një pyetje qesharake dhe se do ta prisnim atë pjesë. Por ajo filloi të na ofendojë, jo vetëm mua, por çdo shqiptar duke thënë se sa harbutë qenkemi ne ndaj femrave. Ne e transmetuam atë pjesë me lejen e saj. Në fakt ajo këmbënguli. Pyes veten përse? Dhe çfarë ndodh më pas? E dashura e Nasit bën një video për të vënë në dukje çështjen e saj duke më përdorur mua si imazh seksizmi për të treguar sa i keq jam unë dhe sa e drejtë është ajo. Në video ajo thotë se unë i përmendja Nasit vajzën seksi. Por unë nuk e përmenda në mënyrën që ajo thotë, unë vetëm po i theksoja një pjesë të emisionit. Unë besoj se e dashura e Nasit e përdori këtë situatë. Sipas videos së montuar mjeshtërisht nga e dashura e Nasit unë nuk jam komik. Ndoshta nuk jam, kjo është subjektive. Në çështjen që ngre e dashura e Nas dhe që po bën virale, kam dyshime që ajo vetë po përdor femrat negativisht dhe sidomos Kejvinën. Ajo po përdor imazhin e një vajze tjetër për të ngritur çështjen e saj. Do doja të thoja se sa shumë i respektoj vajzat dhe gratë dhe këdo që ka potencialin t’i përgjigjet çdo njeriu që bën pyetje të papërshtatshme duke theksuar se jetojmë në një botë ku vetëbesimi dhe liria e fjalës na garantojnë një jetë më të mirë. Premtoj që do të përmirësohem si njeri dhe nëse kam ofenduar ndonjë, nuk ka qenë qëllimi im, qëllimi im është të bëj njerëzit të qeshin. Dhe, e dashura e Nasit ajo ishte një shaka, ndërsa kjo, jo.