Presioni ndërkombëtar për taksën që mund ta “rrëzojë” Haradinajn

Pas më shumë se një jave nga rritja e taksës në 100%, presioni ndërkombëtar për ta hequr këtë taksë vetëm sa vjen e rritet. Duke nisur nga BE-ja, Federica Mogherini, kancelari austriak e deri te sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo.

Presioni ndërkombëtar për taksën që mund ta “rrëzojë” Haradinajn

Të bindur se vendimi për taksën nuk do të tërhiqet janë shprehur nga Qeveria e Kosovës. Kjo edhe pas një presioni të madh ndërkombëtar, që dita-ditës po rritet.

Madje Avni Arifi, këshilltar i kryeministrit Haradinaj tha se më përpara bie qeveria se që tërheqet taksa e vendosur ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

“Jo nuk do ta tërheqim vendimin. Më parë bjen Qeveria sesa që hiqet vendimi për taksën 100 për qind ndaj Serbisë”, ka thënë Arifi.

Në këtë linjë është edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ai thoshte se nëse hiqet taksa, atëherë qeveria s’ka asnjë arsye të ekzistojë.

“Vendimi nuk ka kthim prapa, nuk do të bëjnë punë presionet, por nëse hiqet, Qeveria nuk ka arsye të ekzistojë”, ka deklaruar Lekaj.

Bindja e njëjtë është edhe te vetë kryeministri. Në një seancë ku u diskutua për diplomacinë para më shumë se një jave, Haradinaj tha se taksa duhet të mbetet derisa Serbia ta njohë Kosovën.

“Kjo taksë duhet të mbetet derisa shteti serb ta njohë Kosovën. Ky duhet të jetë synimi i ynë”, deklaroi kryeministri Haradinaj.

Për shumë kënd kjo taksë pritet ta përcaktojë edhe fatin e tij në krye të qeverisë.

Si një nga vendimet më të rëndësishme që e ka marrë prej kur po e udhëheq qeverinë, ende s’dihet nëse kryeministri do t’i bëjë ballë presionit.

Sidomos pas zhvillimeve të fundit ku katër kryetarët e komunave serbe dhanë dorëheqje. Madje protestat e tyre po mbahen çdo ditë nëpër këto komuna, për ta kundërshtuar taksën.

E para si gjithmonë për reagimet kur bëhet fjalë për Kosovën, edhe kësaj radhe ishte Federica Mogherini.

Në një komunikatë për media ky institucion pretendonte se me vendimin për taksën, ishte shkelur marrëveshja e CEFTA-s dhe ajo e MSA-së.

“Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës për ta rritur taksën mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja në 100%, është shkelje e qartë e Marrvëveshjes së Tregtisë së Lirë CEFTA, dhe frymës së MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Më tej ky vendim përkeqëson situatën pas taksës së parë prej 10% javën e kaluara. Qeveria e Kosovës duhet ta revokojë menjëherë këtë vendim”, thuhej në njoftimin për media të zyrës së Moghernit.

Sikur të mos mjaftonte Mogherini, me tone të ashpra foli edhe zëdhënësja e saj, Maja Kocijançiq.

Ajo kërkonte në çdo mënyrë që vendimi i Kosovës të kthehej prapa.

“Reagimi i autoriteteve kosovare në këtë kontekst thjesht nuk është rruga e drejtë. Ka mënyra për të zgjidhur këto çështje dhe këto kanale duhet të përdoren”, tha Kocijanciq.

Reagimet nga BE-ja nuk u ndalën. Pas Mogherinit, ishte Komisoneri për Zgjerim që gjithashtu ashpër ishte kundër kësaj taksë.

Edhe ai kërkoi tërheqjen e vendimit përderisa kritikoi Qeverinë e Kosovës.

“Ky akt – që po ashtu dëmton konsumatorët dhe bizneset kosovare – duhet të kthehet prapa menjëherë. Kosova mban kryesimin e CEFTA-s dhe për këtë ka përgjegjësi të veçantë. Do të marr pjesë në javën e CEFTA-s në Prishtinë së shpejti dhe pres që kjo të zgjidhet deri atëherë”, kishte shkruar ai në Tëitter.

Një deklaratë gjithashtu të ashpër e dha shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin.

Ai tha se vendimet e tilla vetëm sa nxisin tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Shprehim shqetësimin lidhur me ndikimin e mundshëm mbi popullin e Kosovës, dhe me implikimet e mundshme politike në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës nga ky vendim. U bëjmë thirrje liderëve që të marrin në konsideratë interesat e njerëzve dhe ta ruajnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin”, thuhej në njoftim.

Kundër doli edhe kancelari austriak, Sebastian Kurz. Ai në një postim në twitter tha se “barrierat” e tilla nuk i kontriubojnë rajonit.

“Më vjen keq që Kosova ka futur tarifa për produktet nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Austria mbështetet bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në marrëveshjen rajonale të tregtisë së lirë CEFTA, nga e cila përfiton i gjithë rajoni. Ne duhet të prishim barrierat në vend të shpikjes së atyre të rejave,” ishte shprehur Kurz.

Vizita e Thaçit në Amerikë, gjithashtu pati mesazhe të qarta për taksën e vendosur. Ai gjatë kësaj vizite pati një takim me sekretarin amerikan, Mike Pompeo.

Edhe Pompeo i kishte kërkuar Thaçit tërheqjen e vendimit. Një gjë të tillë e konfirmoi zyra për Informim e Departamentit të shtetit Amerikan.

“Shtetet e Bashkuara u kërkuan autoriteteve të Kosovës që të heqin tarifat ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina dhe të punojnë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe për të zbutur tensionet”, thuhej në komunikatë.

Një javë pas vendosjes së taksës reagoi edhe eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstetin.

Sipas tij vendimi për rritjen e taksës, mund të nixsë problem edhe më të mëdha ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Bashkëpunimi rajonal në ekonomi është vendimtar. Dogana të reja do të thotë të ecësh gjithmonë një hap mbrapa, në vend që të ecet drejt njëri-tjetrit. Ne i trembemi një ashpërsimi të mëtejshëm të fronteve me doganat e reja, prandaj bëj thirrje, ashtu si e Ngarkuara e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini për vetëpëmbajtje dhe heqjen e doganave nga ana e Kosovës, të cilat shkelin edhe thelbin e marrëveshjes ekonomike, CEFTA”, është shprehur eurodeputeti.

Kurse izolim të Kosovës nëse kjo taksë nuk hiqet, paralajmëroi gjenerali i NATO-s, James Foggo.

“Tarifa e vendosur 100% nga Kosova për mallrat e Serbisë rrezikon që ta izoloj Kosovën”, tha Foggo.

Kosova përkrahje për këtë vendim nuk gjeti as te disa ministra të Shqipërisë. Pavarësisht se Edi Rama në mbledhjen e dy qeverive u mundua të arsyetojë qëndrimin e ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, kundërshtimet nga pala shqiptare vazhduan.

Ishte Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm në Shqipëri që tha se pajtohet me deklaratën e Amerikës për tërheqjen e kësaj takse.

“Mendoj që deklarata e Sekretarit të Shtetit pas takimit me presidentin e Kosovës është e qartë dhe bën thirrje për një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe për një marrëveshje që mbi të gjitha do të shtojë sigurinë”, deklaroi Bushati.

Kurse Arben Ahmetaj ishte ai që nxiti reagimet më të mëdha. Ai tha se kjo taksë është në kunëdrshtim me tregtinë e lirë.

Deklarimet e tilla i bëri vetëm disa ditë pasi u takua me homologun e tij serb.

Në gjithë këtë presion, ishte vetëm një zyrtar ndërkombëtar që i doli në mbrojtje Kosovës.

Fjala është për ish-ambasadorin e Holandës në Kosovë, Robert Bosch. Ai kërkoi nga BE-ja që të reagojë edhe pas kërcënimeve dhe veprimeve nga Serbia.

Tha që deklarimet e “egra” serbe kundër Kosoëvs janë të përditshme.

“Kjo ishte e fortë, por ku është reagimi i BE-së ndaj Serbisë për shkëputjen e marrëveshjes 12 pikëshe mbi normalizimin e marrëdhënieve e cila thotë se të dyja vendet nuk duhet të pengojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së, gjë që Serbia e bën gjatë gjithë kohës me Kosovën. Të mos e përmendim deklaratën e egër të Daçiqit për vendet që votuan për Kosovën”, kishte shkruar Bosch në rrjeti social Facebook.

E taksa e vendosur, duket se deri më tani ka pasur efekt. Vetëm dy kamionë kanë hyrë në Kosovë nga Serbia e Bosnja, qe një javë të taksës.

Por që të dy u obliguan që fillimisht ta paguajnë taksën. Këto statistika i kishte bërë të ditura për Insajderin, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave.

“Tani fluksi ka rënë, por në ditët e para të vendimit janë kthyer rreth 20 maune të cilat janë kthyer për arsye kryesisht të taksës së vendosur, por ka pasur edhe disa raste për shkak të deklaracionit të gabuar”, deklaroi Adriatik Stavileci.

Me këmbëngulësinë e Haradinajt, dhe presionin e ndërkombëtarëve, më i heshturi këtu ishte Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës nuk e ka komentuar deri më tani këtë vendim, por disa herë është zotuar se një marrëveshje finale me Serbinë duhet të arrihet. /Insajderi.com