Njëri prej policëve që bënte roje të mërkurën paradite, zotohej se Adem Grabovci nuk do të futej me veturë deri tek hyrja e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
“Jo nuk mundet me hy atje se e kemi ç’kap shtetin”, thotë ai pas sqarimit se ku mund të qëndronin gazetarët që po e prisnin Adem Grabovcin, i cili do të merrej në pyetje nga Prokuroria.
Pak minuta më vonë, ky zyrtar i hapë laurën veturës luksoze të Grabovcit për ta çuar deri në hyrje të objektit të Prokurorisë.
Vetura e tij është e vetmja që nuk iu nënshtrua kontrollit të Policisë para hyrjes brenda kompleksit të organeve të shtetit që përfshin Prokurorinë, Policinë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Moskontrollimi i veturës dhe hyrja brenda kompleksit, i ka kushtuar këtij zyrtari policor me suspendim nga detyra bashkë me dy kolegë të tij.
Burime nga Policia i kanë treguar Insajderit se policët janë suspenduar për këtë lëshim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
“Tre zyrtarët policorë janë suspenduar për shkak se kanë lejuar hyrjen e veturës e cila nuk duhej të lejohej. Përveç kësaj, vetura nuk është kontrolluar nga Policia siç parashihet me rregullat e sigurisë”, ka thënë ky burim.
Deri tash Insajderi nuk ka mundur të marrë një konfirmim zyrtar nga Policia për suspendimin e këtyre tre zyrtarëve.
Këto veprime kanë ndodhur ditën e parë të marrjes në pyetje të Adem Grabovcit, i cili po hetohet për dy vepra penale. Hetimet kanë nisur pas publikimit të përgjimeve telefonike nga Gazeta Insajderi. /Insajderi.com