“Zbulohet” arsyeja që e shtyu reperin kosovar të grabisë postën në Zvicër

“Zbulohet” arsyeja që e shtyu reperin kosovar të grabisë postën në Zvicër

Reperi kosovar, Besjan Kacorraj, i njohur me nofkën Besko, i cili u arrestua ditë më parë në Zvicër për grabitjen e armatosur të një filiali të një poste në qytezën Dubendorf, dyshohet se kishte rreth 50 mijë euro borxhe në Kosovë.

Kështu ka thënë një mik i afërt i reperit kosovar në Zvicër, në një intervistë për gazetën 20minuten.

“Besko thjesht nuk shihte ndonjë zgjidhje tjetër”, ka thënë me bindje miku i reperit në një rrëfim për 20min.ch, në kushte anonimiteti.

“Vjedhja nuk ishte planifikuar. Ai i ka mbetur borxh disa njerëzve në Kosovë rreth 50,000 euro”, ka thënë miku i reperit kosovar, që kishte emigruar nga Kosova në Zvicër në rininë e tij por ishte dëbuar nga Zvicra para tri vitesh.

Siç raportoi gazeta zvicerane Blick të mërkurën, reperi Besko kërcënoi dy punëtorë në një filial të një poste në qytezën Dübendorf të Zvicrës më 19 shkurt dhe vodhi qindra franga zvicerane. Dy ditë më vonë, Policia Kantonale e Cyrihut e arrestoi Besjan Kacorrajn lidhur me grabitjen në Dubendorf.

Besko ndodhej në Zvicër përkohësisht, pasi prej tre vitesh jeton në Prishtinë. Ai ishte dëbuar nga Zvicra në vitin 2016 dhe i ishte vendosur ndalesë për t’u kthyer në Zvicër në katër vitet e ardhshme, pasi edhe asokohe ishte dënuar për grabitje të armatosur.

Por, siç raporton Blick, reperi kosovar ndodhej në Zvicër me një vizë pezullimi e cila jepet në raste të thirrjeve gjyqësore, vdekjes së një anëtari të ngushtë të familjes që jeton në Zvicër apo në rast të vizitës tek ndonjë anëtar i familjes. /Insajderi.com