Organizata “Jeta në Kastriot”, e cila përkujdeset për mbi 216 femra të përdhunuara dhe 47 jetimë të kësaj kategorie, ka ftuar qytetarët vullnetmirë që të ndihmojnë në sigurimin e pakove ushqimore dhe gjërave të tjera elementare për dhjetëra familje.
Në mungesë të donacioneve, kjo organizatë thotë se ka mundësi që ndihmat të bëhen dy mënyra: e para duke blerë librin “Rrëfimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë”, në gjuhën shqipe, angleze, italiane ose gjermane, me çmim prej 10 eurosh për një libër dhe mjetet të derdhen në xhirollogarinë organizatës, ose e dyta të blini pako ushqimore për t’i dhuruar për nevojtarët.
Në këtë organizatë shpresojnë që nga shitjet e librit të sigurojnë këto pako ushqimore si dhe veshmbathjeve për fëmijët e viktimave dhe fëmijëve skamnorë.
“Ne po përpiqemi të gjejmë një mënyrë për të siguruar gjërat elementare si veshje për fëmijët shkollarë, veshje të brendshme për femra, pantallona, bluza, duksa , këpuca ose atlete si dhe gjëra të tjera të nevojshme për fëmijë dhe femra të tjera viktima. Po ashtu kemi nevojë urgjente për 60 çanta, fletore, blloka, trekëndësha, ngjyra, e të tjera”, thuhet në njoftimin e organizatës.
Ata thonë se në mesin e viktimave ka femra të traumatizuara që nuk kanë mundësi të kërkojnë ndihmë si dhe të atilla që kanë plagë të hapura në fytyrë dhe trup që nuk mund të dalin të kërkojnë ndihmë diku, ose ato që nuk janë të vetëdijshme.
“Ju lutemi të kontribuoni për t’ua kthyer buzëqeshjen edhe për një çast këtyre familjeve, duke ua lehtësuar dhimbjen këtyre nënave, duke ua bërë jetën më të lehtë, dhe duke e ndier veten mirë së paku për disa momente”, vijon njoftimi.
Për ata që duan të blejnë vet pakot ushqimore ato duhet të përmbajnë: 1 kg krip, 2 qese makarona, 2 qese shpageta, 2 qese oriz, 1 biber për gjella, shtojcë për gjella (vegeta), 1 paketim djathë të butë (që shërben edhe për pite),1 paketim xhem ose krem, 2 pashteta ose krem për lyrje buke, 200 gram kafe, 3 kg sheqer, 2kg patate, 2kg qepë , 2 kg fasule, 2 kg perime, 200 gram çaj , 1 thes detergjent për rroba ,1 shampon për flokë, 1 shampon për duar, 1 pastë për dhëmbë, një dezinfektues për banjo, 1 komlet shpuza per enë, 1 kg suxhuk ose gjysmë kg mish, 3 litra vaj. Mishi dhe suxhuku zakonisht zëvendësohet me kavanoza (konserva ) pasi ka mundësi më të mira për ti ruajtur.(pasi shumica nuk kanë frigorifer).