Ernest Heminguej ishte kopjac, e pohon edhe ish-gruaja e tij

Ernest Heminguej ishte kopjac, e pohon edhe ish-gruaja e tij

Sipas një studimi të fundit, temat dhe stili i shkrimeve që mbajnë emrin e Enrique Serpas, një autori pak të njohur nga Kuba, morën jehonë në veprat e Ernest Heminguejit, që shkroi disa prej veprave më të njohura në atë vend, gjatë viteve ’40 -’50, shkruan “The Guardian”.

Akademiku amerikan Andrew Feldman, është shprehur se kishte paralele shumë të forta mes tregimeve të Serpas dhe veprave të vonshme të Heminguejit, përfshirë “Të kesh a të mos kesh” dhe “Plaku dhe deti”. Megjithëse “nuk flitet për plagjiaturë”, tregimet kishin “ngjashmëri të pabesueshme, në tema dhe në stil”.

Feldman, tha: “The Marlin’ e shkruar nga Serpa, e botuar së pari më 1936, është për një djalë dhe një plak, që peshkojnë. Plakun e vret peshku Marlin, në përleshje e sipër. Kësisoj, kjo duket shumë e ngjashme me “Plaku dhe deti” të Heminguejit, botuar më 1952. Më tej, novela e Serpas “Kontrabanda”, një rrëfim për kontrabandën e rumit, është shumë e ngjashme me “Të kesh a të mos kesh”, tregimi për të njëjtën dukuri, shkruar nga Hemingueji.”

Po ashtu, ai ka zbuluar një letër të papublikuar, ku shkrimtarja Martha Gellhorn, e martuar për pak kohë me Heminguejin, i shkroi në emër të këtij të fundit redaktorit, duke provuar ta bindte për ta botuar në anglisht, veprën e Serpa-s. Ajo shprehej, se, Heminguej besonte që miku i tij ishte “një mrekulli.”