Ambasadori gjerman i shqetësuar me deklaratën e Tahirit për emërim të noterëve, ky është rekomandimi i tij

Ambasadori gjerman i shqetësuar me deklaratën e Tahirit për emërim të noterëve, ky është rekomandimi i tij

Ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit në largim të Drejtësisë, Abelard Tahiri, për emërimin e noterëve të rinj, shkruan Gazeta Insajderi.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Heldt ka shkruar se këtë deklaratë të ministrit e ka marr me shumë shqetësim.

“BE ka dal me një deklaratë duke paralajmëruar emërimin e nxituar të noterëve gjatë ditës së sotme. Duke ndjekur deklaratat e Ministrit të Drejtësisë i cili ka thënë se do t’i emërojë, i rekomandojë fuqishëm që këtë veprim ta marrin më seriozisht: Njerëzit këtu nuk shërbehen nëse aktet noteriale nuk njihen jashtë vendit”, ka shkruar Heldt.

Ministri në largim i Drejtësisë, Abelard Tahiri sot ka deklaruar se emërimi i noterëve të rinj do të marrë epilog legjitim në harmoni të plotë me ligjin dhe në partneritet të plotë me Oden e Noterëve të Republikës së Kosovës.

“Sot, përballë ftesës së Zyrës së BE-së për pezullimin e emërimit të noterëve të rinj, si Ministër i Drejtësisë vlerësoj se emërimi i noterëve të rinj, mbi formulën që është paraparë si e domosdoshme dhe emergjente për të përmbushur nevojat e qytetarëve, veçmas komuniteteve jo shumicë, është tërësisht legjitim dhe duhet të ndodhë”, ka thënë Tahiri. /Insajderi.com