Një imam kosovar është dëbuar nga Zvicra. Arsyet e dëbimit, sipas asaj që shkruan gazeta “Blick” është dhuna e imamit ndaj gruas së tij dhe qëndrimet kontroverse të tij karshi ligjit zviceran.
E.D, 37 vjeçar është detyruar nga shteti ta lë Zvicrën. Kantoni i Saint Gallen nuk ia ka vazhduar atij lejen e qëndrimit atje.
Kjo është vendosur nga Gjykata Federale Supreme. Imami dyshohet të ketë ushtruar dhunë fizike dhe seksuale ndaj gruas së tij, nga ku viktima më pas është dërguar në qendër të rehabilitimit, njofton gazeta Blick.
Çifti kishin ardhur në Zvicër katër vite më parë, dhe jetonin ndaras. Me agresorin, viktima kishte një fëmijë teksa në një martesë të mëhershme ajo kishte katër fëmijë të tjerë.
Policia, sipas gazetës i ka marrë si kredibile deklaratat e viktimës. Ajo ka vërtetuar se burri i saj ka ushtruar dhunë fizike, mentale dhe seksuale.
Vendimi i Gjykatës Supreme Federale ka konstatuar tutje se imami në fjalë nuk është socializuar me ligjet dhe jetën në Zvicër.