Sot nis Festivali i Teatrove në Ferizaj

Për të 49-tin vit me radhë, sot Ferizaj ngre siparin e festivalit më prestigjioz kombëtar të teatrove. Qindra aktorë tashmë kanë ndarë datën për t’u prezantuar para publikut në hapje dhe gjatë gjithë netëve të Festivalit të Teatrove.

Sot nis Festivali i Teatrove në Ferizaj

“Shumë zhurmë për asgjë” me regji nga Zana Hoxha, “Një letër e humbur” me regji nga Kushtrim Bekteshi, “Zona e pritjes” me regji nga Fatos Berisha, “UN Inspektori” me regji nga Erson Zymberi, “Erdhi Godoja” me regji nga Shkëlzen Berisha, “Ditë vere” me regji nga Naser Shatrolli dhe “Kanuni i gruas” me regji nga Arlinda Morina janë shfaqjet e loja brilante e aktorëve që janë përgatitur për këtë edicion të festivalit.

Drejtori i Teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar mbarë edicionin e 49 të Festivalit të Teatrove dhe se trupat e aktorëve nga pothuajse e gjithë gjeografia shqiptare duke nisur nga Gjakova, Tetova, Shkodra, Gjilani, Podujeva, Prishtina, për të përfunduar tek nikoqiri, Ferizaj, janë gati për t’i dhuruar publikut, momente të veçanta artistike e cilësi të lartë të shfaqjeve teatrore.

Ai tutje bëri të ditur edhe jurinë e këtij festivali që përbëhet nga emra të dëshmuar të artit skenik si Haqif Mulliqi, Shengyl Ismajli dhe Mevlan Saraçi.

Organizimi i këtij edicioni të Festivalit të Teatrove nuk kufizohet vetëm në shfaqjet, pjesë të konkurrencës zyrtare, por edhe në aktivitete përcjellëse, ku për këtë edicion është programuar promovimi i librit të të ndjerit, profesorit universitar, Bekim Lumi, kontributit të tij të veçantë për artin e kulturën kombëtare.