Një nga këngët më të ndjeshme të Sabri Fejzullahut është “Nuk i dua bardhësitë”, që flet për fatin e hidhur të një burri që vdekja i mori dashurinë e jetës, njofton Insajderi.
Në një intervistë për NIN me Alaudin Hamitin, këngëtari zbuloi se në fakt, kjo këngë fsheh një histori të vërtetë. Bëhet fjalë për një djalosh të ri, të cilit i vdes e dashura, histori të cilën i rrëfen kompozitorit dhe tekstshkruesit, Ilir Beranit.
Një përjetim të tillë Berani e kishte shkrirë në një tekst dhe i kishte kërkuar Sabri Fejzullahut ta këndonte.
“Iliri ma kërkoi ta këndoj, sepse kjo këngë është për të gjithë ato dhimbjet e mëdha. Kjo është historia e asaj vajzës të re që ka ndërruar jetë”, tha Sabriu për intervistën.
Ai më pas vazhdon të recitojë një pjesë të tekstit dhe kuptimin prapa tyre.
“..Nuk i dua bardhësitë,
as fjollat e borës nuk i dua,
se i bardhë ishte shtrati kur digjej prej zjarrmisë,
ku dikur më përqafonte mua…”
Çdo bardhësi që djali shihte tashmë, asocohej me momentet më të bukura që çifti kishin kaluar në shtratin e tyre me çarçafë të bardhë.
“…nuk i dua nuk i dua bardhësitë
se pulëbardha ime fluturoj
e unë ende po dënesë
më burrnon fjalë e saj
më tha: kur të vdes ti mos qaj…”
Pulëbardha i referohej vajzës që kishte ndërruar jetë, e që kishte ‘fluturuar’ për në botën tjetër. /Insajderi.com