rekordmena?

Ledri e Capital T thonë se thyen rekordin e dëgjueshmërisë në Youtube

Ledri e Capital T thonë se thyen rekordin e dëgjueshmërisë në Youtube

Mendoheshin si rivalë në muzikën hip-hop!

Të dy të pashëm, të dy reperë por asnjëherë nuk i pamë bashkë. Por me sa duket reperi Capital T dhe Ledri Vula, vendosën ta kapitalizojnë famën e tyre, duke sjellë një bashkëpunim këtë verë.

Me një videoklip jo shumë ndryshe nga shablloni i videoklipeve shqiptare – deti, ngjyra e vajza të bukura – dy reperët sollën këngën DPM.

Nga kalkulimet e tyre, del se ata në Youtube për 24 orë kanë arritur të grumbullojnë 1 milion e 600 mijë klikime. Përllogaritjet e tyre sigurisht, prekin vetëm listën e gjatë të artistëve shqiptarë.

Dyshja në Instagram, kanë deklaruar se kanë thyer rekordin e klikimeve me këngët shqip, megjithatë kjo mbetet vetëm deklaratë e tyre, meqë është vështirë e verifikueshme se kush mbanë rekordin për këngën më të dëgjuar brenda 24 orëve në Youtube.

Përndryshe, kujtojmë se Dhurata Dora dhe reperi frances Soolking, në më pak se 24 orë kishin marrë 1.7 milionë klikime, duke e shtuar në 12 milionë për vetëm tri ditë.

Foto: RedBox Entertainment/YouTube

Besojmë se të gjithë e mbani në mend këngën “Zemër”, të punuar nga producenti BigBang, që u publikua në vitin 2019-të. Por kemi një pikëpyetje, meqë kënga titullin ka shqip, teksti është një miks gjuhësh mes shqipes e frangjishtes, a konsiderohet kjo një këngë shqipe?

Nëse po, kujt i mbetet epiteti “record-thyes” në muzikën shqiptare? /Insajderi.com