Një influencuese dhe blogere 18-vjeçare ruse – e cila u bë milionere në moshën 15 vjeçare falë karrierës së saj online – ka vdekur në një aksident me motoçikletë në Bali, shkruan DailyMail, transmeton Insajderi.
Anastasia Tropitsel pësoi lëndime në kokë pasi përplasi motoçikletën e saj në ishullin në Indonezi.
Tropitsel ishte duke eksploruar ishullin me të dashurin e saj 30-vjeçar Viktor Maydanovich kur motoçikleta e saj filloi të “tundej”.
Maydanovich po udhëtonte së bashku me të në një skuter të veçantë, dhe tha që pa se e dashura e tij – e cila po hipte në Kawasaki Ninja 250 të blerë rishtas, u përplas në një gardh pasi humbi kontrollin.
Në një postim që njoftonte vdekjen e saj, Maydanovich tha se ajo po udhëtonte me “80-100 km/h përgjatë një rruge të hapur”, kur ndodhi aksidenti.
“Ajo gjithmonë voziste me shumë siguri dhe saktësi. Pastaj motoçikleta e saj filloi të tundej”, tha ai.
Ajo kishte ndarë një video në llogarinë e saj në mediat sociale vetëm disa momente para vdekjes së saj, duke e treguar atë në motoçikletë duke admiruar perëndimin e diellit në Bali.
Çifti ishte duke u vetë izoluar në Bali, në mes të pandemisë koronavirus, pasi ngecën në Indonezi gjatë pushimeve.
Në një postim të ndarë me 1.2 milion ndjekësit e saj në internet, nëna e Tropitelit ndau imazhin e një qiriu me fjalët “për fat të keq, Nastya jonë nuk është më me ne. Nuk mund ta besoj këtë”. /Insajderi.com