Në një industri muzikore post-karantinë, artistët shqiptarë nuk do të kenë mundësinë të promovojnë veten në koncerte të mëdha gjatë kësaj vere. Në këtë kohë të paprecedent, tashmë ata i janë futur një gare publike: Kush do të sjellë hitin e vitit 2020?
E gjitha duket se filloi vetëm një javë më parë, kur u publikua bashkëpunimi i parë për Ledrin dhe Capital T, “DMP”. Dyshja në rrjete sociale pretendonin se kishin thyer rekord dëgjueshmërie, duke arritur 1.6 milion klikime në 24 orët e para të publikimit. Kështu dyshja rrjedhimisht morën edhe vëmendje mediatike.
Tayna vonon po nuk harron dhe i kujtoi publikut të saj e më gjerë, se kishte pasur një rekord para këtij rekordi. Në një postim të ndarë në Instagram nga menaxheri i saj Rinor Hykolli shihet një ‘screenshot’ i bashkëpunimit Tayna dhe Mozzik “Edhe ti”, ku shkruan “Çka po ni diçka për rekorde po folni?”
Në postim kuptohet që kënga kishte grumbulluar mbi 2 milionë klikime brenda 14 orëve të para të publikimit (e që thënë sinqerisht kënga kishte pasur momentumin e saj të lëvdatave në media e portale).
Më pas kësaj gare i futet edhe Noizy, teksa promovonte këngën “All Dem Talk”, e cila u publikua sot. Para se të publikohej kënga, reperi kishte shkruar në llogarinë tij në Instagram, “Të premten shkatërrohet interneti”. Nëse po lexoni këtë artikull, interneti duket se është më se në rregull.
Vazhdojmë me Baba Stars.
Majk edhe Ghetto Geasy, nuk qajnë kokën për rekorde, sepse ata pretendojnë se të gjitha rekordet i kanë vendosur ata me këngët si, “Sjena mo”, “Paris Milano”, “Malena” e “ Vamos”. Ndonëse këto këngë kanë grumbulluar miliona e miliona klikime në Youtube, gara vazhdon sepse industria e muzikës nuk fle kurrë.
Mozzik e tha troç, që “ky do të jetë viti im” në një postim në llogarinë e tij në Instagram. Në orët e mesnatës ai publikoi këngën “Madonna” e bashkë me të uroi edhe fillimin e sëzonës së verës. Kjo këngë erdhi si befasi për publikun e tij, pak javë para se të publikojë bashkëpunimin e dytë me Kidën.
Në një postim të 25 qershorit, tashmë të fshirë në llogarinë zyrtare të TBA në Instagram, shkuhej, “A me i prit dhe pak Unikkatili kta te estrades qe jan mledh krejt bashk me bo 1 hit per me kap do dasma tallave. Po ju lam dhe pak afat e nfund me jau pshur hitet me real rap ! Se jan bo si grat tu ja bo share 1ni tjetrit per me mar do vieës e tu u bashku ton qe jan sha ma moti njoni me tjetrin”. Ky erdhi si reagim grupit, pasi Unikattil u lajmërua në llogarinë e tij në Instagram muaj më parë, për të paralajmëruar (ndoshta), një këngë të re.
Kush do të sjellë hitin FINAL? Nuk e dimë… por që i gjithë ky spektakël është padyshim argëtues. /Insajderi.com