Dumoshi kujton poetin Ali Podrimja në 8-vjetorin e vdekjes

Dumoshi kujton poetin Ali Podrimja në 8-vjetorin e vdekjes

Sot janë bërë tetë vite nga mosprania fizike e poetit tonë të madh, Ali Podrimja, por që mbetet gjithmonë në kujtimet tona përmes trashëgimisë letrare që la pas.

E me këtë rast, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi ka kujtuar poetin Ali Podrimja, i cili ka qenë autor i shumë vëllimeve me poezi dhe me të drejtë konsiderohet një poet i kalibrit ndërkombëtar dhe si ndër përfaqësuesit më të njohur të poezisë së sotme shqiptare.

“Poezia e tij ka qenë e pasur me figurshmëri poetike dhe me nivel të lartë kuptimor e sensual. Podrimja përmes artit poetik ka përçuar kulturën e traditën shqiptare dhe me krijimtarinë e tij e ka ngritur në një nivel tjetër poezinë shqipe. Poezitë ‘Lum Lumi’, ‘Unë, biri yt, Kosovë’, e shumë e shumë poezi tjera të Aliut do të mbesin gjurmë të pashlyera në kulturën moderne të Kosovës. E kujtojmë me mall dhe krenari poetin e paharruar Ali Podrimja. Krenohemi që e patëm dhe mburremi ende para popujve tjerë me krijimtarinë e madhe e të bukur që ka lënë pas”, thuhet në kumtesën ministrore./Insajderi.com