
Rrjedh nga një familje gjirokastrite. Shkollën e mesme e mbaroi në Vlorë dhe Institutin e Lartë të Arteve në degën Dramaturgji në Tiranë në vitin 1970. Timo Flloko pa mëdyshje mund të quhet një yll i kinematografisë shqiptare, nga të paktët aktorë shqiptarë të cilët ia kanë kushtuar karrierën e tyre ekskluzivisht filmit. Është gjithashtu një nga pedagogët më të respektuar të Akademisë së Arteve. Prej disa vitesh ka zgjedhur të jetojë duke ndarë kohën e tij mes Amerikës dhe Shqipërisë. Gjatë qëndrimit të tij në Amerikë prej shtatë vitesh arriti të futet edhe në botën e Holliwood-it, ku interpretoi në disa filma. Pas kthimit nga Amerika u kthye në Tiranë, ku tani punon si pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë në degën e aktrimit dhe regjisë
Hyri në kinema shumë i ri, vetëm 19 vjeç. Por dy filmat e tij të parë, “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967) dhe “Përse bie kjo daulle” patën fat të keq. U ndaluan nga regjimi i kohës për arsye banale. Brezat e njohën dhe e çmuan talentin e tij më së pari në rolet e Meços në filmin “Kur zbardhi një ditë” dhe atë të Kabos në “Malet me blerim mbuluar”, të xhiruar në vitin fatlum 1971. Niveli i interpretimeve të tij filmike erdhi gjithmonë duke u rritur. Pasuan Kanani tek “Shtigje lufte” (1976) dhe Luani tek “Lulëkuqet mbi mure”, ky i fundit i nderuar me Medaljonin e Festivalit të Filmit, më 1977.
PIJA QË DEH
I thashë zemrës, je në risk
Kur kaq fort ti rreh!
Pse të trembem, thotë zemra
Ndjenjat pse t’i fsheh…?!
Sa pandehma, iluzione
Gracka fati ngreh?!
Zemra ime, dashuria
Është “pije” që deh…!
Me shigjeta helmatuese
Të godet e ti s’sheh
Le të gjuajnë, gufon zemra
S’më vdes ai helm…!
Dhimbjen kur unë thellë ndjej
Botës pse t’ia fsheh
Çfarë më shumë se dashuria
Na merr mendtë, na deh!
MIQTË
Kot e ke, më tha ndërgjegja,
Njerëzit s’janë përherë miq.
Ti pandeh se ata të duan,
Por në fakt i ke “armiq”!
I them vetes, pse, s’kanë shkak,
S’kam pushtet, as ofiq…
Nuk urrej askënd në jetë,
S’ndaj të mirë dhe të liq!
S’ka të bëjë, ata s’të duan,
Afërmendsh i ke “miq”!
(Dashuri, ti s’fal, thotë Krishti,
Po s’i deshe dhe armiqtë!)
S’është çudi në këtë jetë,
Midis miqsh ka dhe “armiq”.
Helm i egos i ngërthen…
Dhe i bën oh sa të liq!
Mos u lig, mos u mpak,
Thotë vetvetja, je një hiç.
I pavlerë në këtë botë,
Po nuk pate dhe “armiq”!
POETI
I shtinë qiellit,
ai ra…
Ra për të mos u kthyer më,
u përgjak,
u përmbys,
ra…
(Askush s’ka dy jetë!)
Bizhuterët rendën të mbledhin thërrime yjesh;
të çmendur, të marrë,
pas hënës u sulën pa frymë;
Diellit shumëkush mori arratinë…
Ti,
poet,
shpirtdhembsur përherë,
me shtatine e tij të vrarë,
të kaltër,
mbi shpinë!
KUR BRAKTIS ATË QË DO
Ti po kthehesh përsëri tek unë,
Me pendesë edhe trishtim pa fund.
Ka shumë kohë qe po të pres…
Sa shumë…
Vjen,
Përmes erës nëpër natë, ti vjen.
Nostalgji dhe dëshpërim më sjell…
Sa e huaj je tani, s’e ndjen?…
Ku shkuan ëndrrat, ku?
Ke deshën sytë e tu?
S’e di…!
Ne heshtim që të dy.
Na ndan një ftohtësi, tani…
Kur braktis atë që do,
Vjen një çast qe e kupton,
Se pa të, ti dot s’jeton…!
Çfarë më thuaj vlen në botë,
Kur je vetëm e ke ftohtë,
Dhe një zemër s’e gjen dot…?
Ku shkuan pritjet, ku?
Ku ndali hapi yt?
S’e di…!
Një ndjenje në fshehtësi,
Jam skllavi yt me thotë tani…
Unë,
Sa trishtim po ndjej në shpirt, çudi…!
Kur pendesën shoh në sytë e tu.
S’di…te dua a të humba përgjithnjë?!
Ti u ktheve, lotin shoh te ngrirë.
Jam i dobët dhe te fal?! S’e di…
Mund ta kthejmë në jetë dashurinë?!…
Sytë
Sytë shohin, shihen; fshehin, fshihen;
Sytë ikin largohen, …sytë mërgohen.
Sytë ndrijnë, qeshin; ndizen, ndezin,
Sytë dashurojnë, dashurohen …sytë verbohen.
Sytë lotojnë, pikëllojnë; fiken shterohen,
Sytë ftohen, s’flasin, ….sytë vrasin.
Shtati kallkan ngrin,
sytë mbesin,
hapur, kur vdesim.
* * *
ROB I MANIVE
I përzura komplekset nga vetja:
Inferioritetin
e nisa te parin…
Ik prej meje, dil
kjo botë është e ashpër për ty
maniak depresiv
në kopshtet çehoviane shko
shkarko fobitë
s’ke strehim ne trurin tim
S’të lodhi perulja
ndjesite diabolike?
Sa herë i marr erë një luleje
druaj se pas shpine
thika me ngulet…!
Supersticionet
gra te pabesa
i degdisa
në manastirin e harresës!
Ritualet i vara në kremastare
dal nga preferenca prej kohësh
I hoqa qafe lajkat, pa kortezi
Madame Pandehma – modus
jashtë modës!
Grimcat e të përditshmes thërrasin:
Një ditë do të të vrasim
Lojëra parandjenjash sajojne numrat fatal
mezi c’presin të varem…?
Zbraza raftet e trurit nga kotësit
përzura dhe ëndrrat!
Kur u shfaq ai, deliri i madhështisë
kaloresi i gamiles, me krye ne hava!
“Jeto madheshtinë, me dërdëllit
kthehu në vetëdije
bota është e ngushtë
s’ka vend as për hijet…!
Gëzo marrinë, gjigand!”
me shkund deliranti
E ndoqa pas
askund s’gjeta
për të një kafaz!
Por, ne mund e stërmund
tinëzisht një ditë
e shpura delirin në kopshtin zoologjik
kureshtarëve t’ua fal
si gjest filantropik!