Gazeta Online Insajderi e kontakton lidhur me " />
N’zgrip

Pandemia si goditja finale – Teatrot private pranë falimentimit

Arti nuk vdes kurrë, por megjithatë i nevojiten hapësira për të treguar se është gjallë. E këto hapësira rrezikojnë literalisht të vdesin, nëse pandemia s’lëshon pe dhe pasoja që ka formën e bllokimit vazhdon. Nuk ka një plan, nuk ka një strategji dhe madje as një ide se si të ndihmohen teatrot private në Kosovë. Ata vazhdojnë të jenë aktorë të vetmuar, të cilët nga mungesa e “duartrokitjeve” të shtetit, që rri si audiencë memece, mbase do të detyrohen të mbyllin perden – jo të shfaqjes, por të ekzistencës.

Pandemia si goditja finale – Teatrot private pranë falimentimit

Florenti Mehmeti, drejtor i teatrit “Oda”, në momentin që Gazeta Online Insajderi e kontakton lidhur me këtë intervistë, është duke i nënshkruar një punëtori prishjen e kontratës së punës.

“Punëtori në fjalë, është pjesë e stafit teknik. Është punëtor në teatrin ‘Oda’ në një periudhë prej 13 vjetësh tashmë. Por, prej muajit mars, teatri nuk ka qarkulluar me të hyra, dhe në situatën ku jemi nuk dimë se sa do të zgjatë. Ai ishte bërë si një anëtar i familjes dhe unë u desh ta pushoja nga puna në krizën më të madhe për punë”.

Related image

Teatrit “Oda” i është dashur të shtyjë në kohë të pacaktuar dy evente, Festivalin e Artit në Hapësira Publike – “Hapu” dhe një shfaqje bashkëpunim me një koreografe gjermane e cila do të punonte me gra të moshuara nga Shtëpia e Pleqve.

Sipas Mehmetit, drejtorit i të ODA-s, një prej indikatorëve të kësaj situate, është mungesa e fuqizimit të teatrove private dhe përqendrimi i fondeve në teatrin kombëtar.

“Autoritet e marrin si përgjegjësi ligjore përkujdesjen e vazhdueshme të institucioneve publike, sikur në këtë rast të Teatrit Kombëtar, duke lënë anash ose në minimum ndarjen e fondeve për institucionet ose individët e pavarur dhe kjo mënyrë e të vepruarit do të sjellin rezultate sikur ky në rastin e pandemisë. Akterët e pavarur do të rrezikojnë shuarjen”, thotë ankueshëm ai.

“Kultura, në këtë rast teatrot, krijohen, mirëmbahen, dhe gjenerojnë në masë të madhe prej këtyre akterëve të pavarur, që shumica janë jashtë-institucionalë. Zakonisht janë institucionet e pavarura dhe individët që kanë bërë diplomaci kulturore në vendin tonë. Në filma, teatër, ekspozita, janë të gjithë individë që arrijnë të ‘shpërthejnë’ jashtë.”

Ai si shembull merr një nga shfaqjet e teatrit “Oda” në festivalin e Edinburgut, në vitin 2014, ku në shenjë mirënjohje, teatri ka valuar flamurin shqiptar për një muaj të tërë, gjatë gjithë kohës së festivalit.

“Kjo nuk ishte traditë në atë festival. Kjo është bërë në shenjë solidarizimi me shtetin e Kosovës sepse shfaqja jonë ‘Invisible Walls’ trajton ngufatjen e kosovarëve për shkak të regjimit të vizave.

“Ata na pyetën se nëse mund të bëjnë ndonjë veprim në këtë aspekt dhe ne u thamë me shaka të na heqin vizat”, tregon Florenti.

“Ata natyrisht që nuk mund ta bënin këtë, prandaj na pyetën nëse kemi një flamur. E vendosën flamurin në shtizë mbi teatër dhe ai valoi gjatë gjithë muajit gusht, deri në përfundim të festivalit.”

Në anën tjetër, qendra “Multimedia”, që funksionon si teatër po ashtu, sapo është shuar prej funksionimit.

Kjo qendër, që për vite me radhë, përpos shfaqjeve të shumta vendase, ka sjellë festivalin e vetëm të poezisë në Kosovë, është bërë vend ku mbaheshin, promovime, ekspozita dhe shfaqje e performanca të tjera nga jashtë.

Shfaqjet e kësaj qendre shumë shpesh morën vëmendjen e mediave të huaja dhe treguan sukses nëpër festivale nëpër botë.

Drejtori i saj, Jeton Neziraj, na tregon për humbjet që ka pësuar ky teatër gjatë pandemisë, në një kohë kur ishin paracaktuar premiera shumë të rëndësishme.

“Kemi pasur tri shfaqje në proces, realizimi i të cilave është shtyrë. Në shkurt ne kishim filluar në Cyrih provat për shfaqjen ‘Sëiss Connection’, një ko-produksion i Qendrës ‘Multimedia’ dhe Teatrit ‘Winkelwiese’, megjithatë, provat u ndërprenë pas rreth 10 ditësh dhe dy aktorët tanë, Aurita Agushi dhe Adrian Morina, mbetën të bllokuar atje për një kohë të gjatë. Kjo shfaqje është shtyrë për shtator 2021”, liston Neziraj itinerarin që e pamundësoi virusi i shpërndarë globalisht.

“Shfaqja e dytë, e cila po ashtu është shtyrë për shtator të këtij viti është ‘Kthimi i Karl Majit’, një bashkëproduksion i Qendrës ‘Multimedia’, teatrit ‘Volksbühne’ nga Berlini dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës”.

“Kurse një projekt teatror i tretë, që po e realizonim me një teatër për të rinj nga Shtudgardi, është anuluar tërësisht, shkaku i pandemisë, thotë Jetoni për Insajderi-n.

Në total, rreth 10 shfaqje të kësaj qendre, të planifikuara të jepen jashtë Kosovës janë anuluar, ndërkohë në shtetin e Kosovës, “Multimedia” ka anuluar dhënien e 30 shfaqjeve. Përpos këtyre është shtyrë data e festivalit ndërkombëtar të letërsisë – “Polip” për shtator.

Sipas drejtorëve, problemi i teatrove private është më i vjetër se situata me COVID-19, por pandemia dhe masat e marra e kanë nxjerrë në pah mos-funksionimin e strategjive të autoriteteve karshi këtyre institucioneve.

Shteti duhet të ndryshojë strategjinë karshi teatrove private, pasi që kanë gjasa që të prodhojnë vlera që mund të përdoren mu nga këto autoritete.

Disa mendojnë se do te ishte mirë që për shfaqjet e subvencionuara nga shteti nuk duhet të paragjykohet shfaqja e tyre ne teatro publike, por duhet t’i lihet regjisorit të vendos nëse dëshiron të prezantojë shfaqjen ne teatro publike apo private./Insajderi.com