Si pasojë e pandemisë së Coronavirus-it, vitin e kaluar u anulua festivali më i madh në Kosovë, “Sunny Hill Festival”, i organizuar nga Dukagjin dhe Dua Lipa, njofton Insajderi.
Në njoftimin për anulimin e festivalit, thuhej se festivali do të rikthehej për vitin 2021 në muajin gusht.
Por, duke parë situatën dhe virusi që ende po vazhdon me raste në rritje, cili është fati i festivalit këtë vit?
I ftuar së fundmi në emisionin e mëngjesit “Ora shtatë”, në “Klan Kosova”, Dukagjin Lipa tregoi se planet për realizimin e festivalit do të plotësohen në varësi të situatës së pandemisë.
“Planet e saj varen shumë prej situatës me pandeminë. Ne mezi presim të fillojë përsëri Festivali Sunny Hill. Shpresojmë shumë që pandemia të qetësohet sepse duhet ta dimë që duhet të jemi të kujdesshëm me festivale. Duhet t’iu përmbahemi rregullave të COVID”, shprehet ai.
Më tej shton se i gjithë ekipi është i gatshëm për organizimin e edicionit të sivjetshëm dhe po presin për dritën jeshile nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Jemi të gatshëm për festivalin por jemi duke e prit vendimin e Kryetarit të Komunës, Shpend Ahmetit, për hapësirën e re të këtij festivali. Do të kemi një lajm të ri për 3-4 ditë për sajtin e festivalit. Veç pandemia mundet me na ndalë, asgjë tjetër”, tha Dukagjin Lipa.
Festivali “Sunny Hill”, festival ky disa ditor, ka sjellë në Kosovë disa nga emrat më të shquar të muzikës si Miley Cyrus dhe Gashi. /Insajderi.com