Robert Berisha filloi karrierën si muzicient, më pas u kyq në industrinë e muzikës si këngëtar, e gjatë periudhës së vetë izolimit provoi veten edhe në argëtim, duke publikuar video qesharake për të argëtuar ndjekësit e tij, njofton Insajderi.
Ndoshta ishte ky momenti i eurekës për Robertin, sepse ai po mendon të bëhet një showman. Të paktën këtë e zbuloi në një intervistë të fundit për emisionin Prive, në Klan Kosova.
Ai beson në aftësitë e tij dhe e di se do të ketë sukses me një emision të natës së vonë à la David Letterman, Conan O’Brien, e të tillë – me një ekstra aset që ai ka, këndimin dhe pianon.
“Mendoj se nëse arrij të realizojë atë show-in tim, ka me qenë pak më ndryshe se çfarë kemi pa në Kosovë e Shqipëri. Duke e marrë parasysh që ekzekutoj në piano, këndoj dhe kam një sens humori, do të jetë pak më ndryshe”, thotë ai.
Tek të ftuarit ai thotë se theksin nuk do ta kenë të famshmit tanë, por edhe njerëzit e fushave të ndryshme dhe njerëzit e zakonshëm.
Gjatë intervistës kuptohet se ende nuk ka diçka konkrete, por Berisha duket se është i vendosur për një gjë të tillë, e si thonë vendosshmëria është gjysma e punës. /Insajderi.com