Aktorët e Prishtinë kërkojnë themelimin e trupës rezidente të Teatrit Dodona

Aktorët e Prishtinë kërkojnë themelimin e trupës rezidente të Teatrit Dodona

Sot, përfaqësues të grupit të aktorëve të Prishtinës kanë mbajtur konferencë për media.

Ata kërkuan themelimin e trupës rezidente të aktorëve të teatrit Dodona, një kërkesë sipas tyre shumë e vjetër.

Ata paralajmëruan protesta nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

Përfaqësuesi i këtij grupi, Leonit Maloku, ka thënë se inciativa për themelimin e trupës rezidente është bërë qysh para 2 vitesh, por ende nuk është realizuar.

“Teatri Dodona funksionon me vetëm pesë aktorë qe 15 vjet, prodhon vetëm shfaqje për fëmijë dhe nuk prodhon shfaqje profesionale për të rritur. Andaj kërkesa jonë është bazuar mbi ligjin për teatro pika nr. 7 neni nr. 5 ku specifikisht thotë ‘Teatri i qytetit mund të ketë ansambël rezident prej më së paku dhjetë dhe më së shumti njëzet aktorë’. Pra teatri i qytetit Dodona pothuajse qe 20 vjet funksionon me vetëm pesë aktorë, andaj ne nuk po kërkojmë asgjë tjetër vetëm respektimin e ligjit dhe hapjen e konkursit për pesëmbëdhjete aktorët e rinjë”, tha Maloku.

Ai tha se i është kërkuar edhe Ministrisë së Financave që të shtohet numri i aktorëve në Teatrin Dodona, por kërkesa e tyre ka hasur në vesh të shurdhër.

Si artistë të pa punë ata kanë kërkuar përkrahje edhe nga kryetari i Komunës.

Maloku tha se nëse këto kërkesa nuk mirren parasysh ata do të nisin protestën para Komunës, ku do të qëndrojnë në tenda. Ata do të flejnë madje aty dhe do të përdorin monologët dhe poezit si mënyrë proteste.

Edhe Ilir Prapashtica thotë po kërkojnë të drejtat e tyre.

“Me pas një vend të punës është e drejtë elementare edhe me protestu, tek e fundit që thamë edhe me bo interpretime të ndryshme në mënyre pozitive gjithmonë , për me mujtë me arrit qëllimin tonë. Tu e pasë parasysh që të gjitha komunat e kanë formuar trupën rezidente të teatrit vetëm Prishtina ka ngelur, arsyeja ku është nuk e dime, janë disa thashetheme nga komunat, ministria e kështu me radhë por neve këto si aktorë nuk na interesojnë”, deklaroi Llapashtica.

Kërkesa e tyre ngulmon në hapjen e konkurseve dhe audicioneve për teatrin Dodona, për shfaqjet me të rritur./Insajderi.com