I ftuar në “Shoë Time”, ishte aktori Jeton Zogjani kur ndër të tjerash, dha edhe mendimin e tij sa i përket kandidimit të Adriana Matoshit për deputete në kuvend nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njofton Insajderi.
Aktori, që luajti krahas Matoshit në serialin vendor “O sa mirë”, thotë se e ka të vështirë të bëjë diçka konkrete.
“Mendoj që vështirë e ka të bëjë diçka konkrete dhe që do mbahet mend, sepse grupi parlamentar është shumë i madh, ka politika që vijnë nga lart dhe duhet të zbatohen poshtë”, shprehet ai.
Ai vazhdon të thotë se është më mirë që Adriana të zërë atë karrige se sa një “bandit”. Sipas tij ajo është njnë vajzë, grua dhe nënë e mirë dhe se do i përkushtohet punës së saj.
“Mendoj që vështirë e ka me bë diçka që ia vlen, por megjithatë unë e uroj dhe e përgëzoj sepse më mirë është që të jetë Adriana në parlament sesa një bandit. Sepse ajo është vërtetë një vajzë, një grua dhe një nënë e mirë, një aktore profesioniste dhe mund ta bëjë punën më së miri që di dhe që mundet”.
Adriana Matoshi ka arritur t’i sigurojë votat e nevojshme që të jetë deputete në Kuvendin e Kosovës.
Matoshi, që për herë të parë iu fut politikës duke kandiduar si deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka marrë 10 mijë e 403 vota në zgjedhjet e këtij 14 shkurti.
Kujtojmë, se edhe Zogjani kishte provuar veten e tij në politikë. Ai ishte kandidat për deputet nga koalicioni AAK-PSD, në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.
Ai kishte shprehur gatishmërinë që të bëhet deputet e që ta ketë një rol aktiv në ngjarjet politike të vendit, mirëpo nuk ia doli. Jeton Zogjani, mori vetëm 980 vota në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. /Insajderi.com